Q*lluan drejt një biznesi në Kukës/ Policia ZBARDH ngjarjen! Babë e bir autorët e dyshuar, njëri në pranga tjetri në kërkim
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Mamëz të Kukësit, ku më 27 nëntor është qëlluar me armë zjarri drejt një dyqani në lagjen Drinas. Pas hetimeve, janë identifikuar si autorë të dyshuar një 59-vjeçar dhe i biri 26-vjeçar.
I ati është vënë në pranga, ndërsa i riu është shpallur në kërkim, pasi nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve. Të dy dyshohen se kanë qëlluar ndaj biznesit të një banori të zonës, duke thyer xhamat e fasadës.
Njoftimi:
Kukës
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas të fshatit Mamëz, Kukës, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar (babë e bir).
Kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim djali i tij.
Sekuestrohet automjeti i dyshuar me të cilin babë e bir kanë lëvizur kur kanë kryer veprën penale.
Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i hetimeve të thelluara me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur në lagjen Drinas, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan operacionin policor të koduar “Drinas”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drinas”, u bë kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasit Xh. M., 59 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi M. M., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, i cili nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
