Kaso në Kuvend: Kemi kërkuar dëmshpërblimin për dëmet e krijuara nga përmbytjet
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso foli në Kuvend për dëmet e krijuara në vend nga përmbytjet.
Duke folur për situatën në qarkun e Korçës, Kaso tha se kanë kërkuar dëmshpërblimin për dëmet e krijuara nga përmbytjet.
Demokrati shtroi edhe pyetjen se ku shkojnë këto lekë që nuk shërbejnë as për të parandaluar përmbytjet as për të zbutur dëmet e tyre.
Në fund ai theksoi se dëmet janë njerëzore dhe ekonomike, por ky kuvend ka në dorë të zgjedhë të mbrojë qytetarët apo të mbrojë klientelën e pushtetit
“Në Maliq përmbytja është humbje dhe dëshpërim bashkë, por çfarë ka ndodhur që i dha dorë përmbytjes. 66 rezervuar me diga janë lënë pa inspektim.
Ura e Maliqit ku u hodhën 208 mln lekë për të rinovuar funksionalitetin historik nuk u shërben banorëve se portat nuk funksionuan.
Argjinaturat u çanë dhe u përmbytën prodhimet e bujqësisë. Ku shkojnë këto lekë që nuk shërbejnë as për të parandaluar përmbytjet as për të zbutur dëmet e tyre.
Shqipëria nuk mund të jetë vit pas viti në gjendje emergjence, kemi kërkuar dhe kërkojmë marrjen e masave për mirëmbajtjen e kanaleve.
Kemi kërkuar hartë rreziku për përmbytjet dhe ndalim të ndërtimeve të paligjshme ne shtratin e lumenjve.
Kemi kërkuar vlerësim të plotë të dëmeve, jemi në kohë të marrim masat për dëmshpërblimin për dëmet e krijuara nga përmbytjet.
Dëmet janë njerëzore dhe ekonomike, ky kuvend ka në dorë të zgjedhë të mbrojë qytetarët apo të mbrojë klientelën e pushtetit”, tha Kaso.
