U pezullua nga GJKKO, Gjykata Kushtetuese vendos sot për ankimimin e Qeverisë për Ballukun

Gjykata Kushtetuese mban sot seancën për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Në këtë seancë do të vendoset nëse do ta kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të Ballukut, pas vendimit të dhënë nga GJKKO.

Shqyrtimi i kërkesës u shty për më 2 dhjetor, ndërsa shkak u bë largimi nga gjykata Holta Zaçajt, e cila ishte pjesë e Kolegjit që do të trajtonte në dhomë këshillimi çështjen, dhe gjyqtarja që e zëvendësoi Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë që të njihej me aktet.

Nëse sot Kolegji vendos kalimin e çështjes për shqyrtim, Kushtetuesja duhet të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, në pritje të një vendimi përfundimtar për çështjen.

Po sot, Zv.kryeministria Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, ka ankimuar vendimin e GJKKO për masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme, GJKKO u dha në datë 22 nëntor. Gjykata e Posaçme caktoi dy masa sigurie për Belinda Ballukun: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera.

Disa ditë më vonë, qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Ballukun. Rama e cilësoi cenim të ekzekutivit vendimin e Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.