Spiropali i përgjigjet Sekretarit amerikan të Shtetit: Shqipëria dhe SHBA, bashkë në altarin e vlerave demokratike
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i është përgjigjur urimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio për Ditën e Pavarësisë.
Në postimin e saj në platformën X, Spiropali theksoi se, Shqipëria dhe SHBA janë bashkë në altarin e vlerave demokratike.
Spiropali shtoi se, në orët më kritike të historisë sonë, Amerika ka qenë gjithmonë në krahun tonë.
“Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi sot lirinë dhe pavarësinë tonë, e dinin se në orët vendimtare të kombit shqiptar, Amerika qëndronte në krahun tonë. Ne nuk e harrojmë, dhe nuk do ta harrojmë, se në orët më kritike të historisë sonë – në afirmimin e së drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar dhe në Pavarësinë e Kosovës – populli amerikan luajti një rol vendimtar”, shkroi Spiropali.
“Në ato momente, distanca mes dy vendeve tona u zhduk dhe fatet tona u ndërthurën në mënyrë të pandashme”, theksoi ministrja.
“Kjo miqësi sot na bashkon në altarin e vlerave që ne ndajmë. Kombet tona lidhen nga një besim i thellë te liria, demokracia, paqja, siguria dhe dinjiteti njerëzor”, shtoi Spiropali.
“Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rolin e Shqipërisë në NATO, përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin në zbatimin e ligjit, si edhe ndërveprimin tonë të ngushtë në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe në mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët”, nënvizoi ministrja Spiropali.
“Ndërsa festojmë Ditën tonë të Pavarësisë, me mirënjohje në zemër dhe me një vendosmëri të qartë, synojmë të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë strategjik, të zgjerojmë lidhjet tona ekonomike dhe të forcojmë edhe më shumë miqësinë e qëndrueshme e të palëkundur mes popujve tanë”, u shpreh ministrja, teksa falënderoi sekretarin Rubio për urimet e ngrohta dhe për partneritetin e palëkundur e besnik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

