Ambasada gjermane uron shqiptarët për Festën e Pavarësisë

Ambasada gjermane në vendin tonë, uroi sot shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale ambasada gjermane thekson se “ne qëndrojmë krah për krah me partnerët/et tanë në Shqipëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e vendit, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe duke i hapur rrugën ngritjes së shtetit modern shqiptar.

Aktit historik të Pavarësisë i paraprinë përpjekje të gjata politike dhe luftarake për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe identitetin kombëtar.

Shpallja e Pavarësisë solli ndryshime të mëdha politike e shoqërore dhe shënoi lindjen e shtetit shqiptar, duke e pozicionuar kombin tonë në radhën e popujve të lirë të Evropës.