Ambasada franceze uron shqiptarët për Festën e Pavarësisë
Ambasada franceze në vendin tonë, uroi sot shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga ekipi i Francës në Shqipëri!”, theksoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale ambasada franceze.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e vendit, duke i dhënë fund sundimit pothuajse pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe duke i hapur rrugën ngritjes së shtetit modern shqiptar.
Aktit historik të Pavarësisë i paraprinë përpjekje të gjata politike dhe luftarake për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe identitetin kombëtar.
Shpallja e Pavarësisë solli ndryshime të mëdha politike e shoqërore dhe shënoi lindjen e shtetit shqiptar, duke e pozicionuar kombin tonë në radhën e popujve të lirë të Evropës.

