Raphinha tregon arsyen pse refuzoi Chelsean për t’u bashkuar me Barcelonën: I mbylla sytë para çdo klubi tjetër
Raphinha ka zbuluar më në fund arsyen e vërtetë pse në verën e vitit 2022 refuzoi Chelsea-n, ndonëse klubi londinez kishte arritur marrëveshje me Leeds-in për transferimin e tij.
Pasi dëgjoi se Barcelona e kishte shprehur interesimin, braziliani nuk e mori më parasysh asnjë alternativë tjetër.
“Pas ndeshjes sime të fundit me Leeds-in, e dija që ekzistonte një mundësi që unë të vishja fanellën e Barcelonës,” tregoi Raphinha.
“E dija gjithashtu që Chelsea ishte i interesuar, por unë kisha një ëndërr për të realizuar dhe i jam përkushtuar 100% që ajo të bëhej realitet.”
Ai tha se në momentin që Barça u fut në garë, çdo opsion tjetër u zhduk nga mendja e tij:
“I mbylla sytë përpara klubeve të tjera që më donin. Kisha një ëndërr dhe bëra gjithçka që munda për të luajtur te Barcelona.”
Raphinha do të përballet përsëri me Chelsea-n këtë të martë, në sfidën vendimtare të Ligës së Kampionëve, duke u rikthyer kështu ndaj klubit që dikur tentoi me ngulm ta transferonte.
