Arne Slot: Nuk kemi gjetur ende përgjigjen për t’i kthyer humbjet në fitore

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka komentuar serinë e rezultateve të dobëta të skuadrës ndërsa të kuqtë po përgatiten për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër PSV Eindhoven-it.

Slot pranoi se ekipi ka hasur vështirësi në gjetjen e zgjidhjeve për të përmbysur momentin negativ:

“Ne ende nuk kemi gjetur një përgjigje të duhur për t’i kthyer ato humbje në fitore. Por kur udhëheq me 1-0 dhe e humb ndeshjen, si ta shpjegosh këtë?

Kjo tregon sa e vështirë ka qenë për ne që të reagojmë pasi marrim gol. Shpresoj që nesër mbrëma të arrijmë të kalojmë të parët në avantazh.”

I pyetur nëse mendon të bëjë ndryshime të mëdha në qasjen e skuadrës, trajneri holandez dha një përgjigje të balancuar:

“Po edhe jo. Jo, sepse nuk mendoj se duhet të bësh diçka krejtësisht ndryshe, kjo nuk do të ishte e drejtë as për ne dhe as për lojtarët.

Ata duan të luajnë në një mënyrë të caktuar. Por, nga ana tjetër, po, sepse nëse je një ndjekës i Premier League-s, e sheh që loja po shkon në një drejtim tjetër.

Kjo ndoshta do të thotë që ne duhet të ndryshojmë disa detaje në mënyrën se si luajmë.”

Slot theksoi edhe rëndësinë e fizicitetit në kampionatin anglez, por refuzoi ta përdorte atë si justifikim:

“Duhet të kesh një nivel të caktuar fizik, sidomos në aspektin e lartësisë.

Por kjo nuk është një justifikim pse kemi pësuar kaq shumë gola nga goditjet e dënimit. Humbja ndaj Nottingham Forest na dha një shuplakë të fortë.”

Liverpooli shpreson të rikthehet te rezultatet pozitive, duke filluar nga sfida e radhës në Ligën e Kampionëve.