Urat shemben, fshatrat izolohen/ 'L*fta' me pasojat e reshjeve në Kurbin, nis rikuperimi i infrastrukturës (PAMJE)

Prej tre ditësh, zona e Malësisë së Kurbinit ka qenë e izoluar për shkak të shkatërrimit të disa urave, rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të rrugës.

Malësia e Kurbinit konsiderohet ndër zonat më të prekura nga reshjet e dendura; për pasojë, përmbytja nga lumi Hurdhacë që kalon përmes fshatrave shkatërroi ura dhe rrugën, duke izoluar disa prej tyre.

Autoritetet lokale, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, ditën e sotme kanë arritur të rikuperojnë një pjesë të urave të dëmtuara dhe të sistemojnë rrugën.

Sipas kreut të Njësisë Administrative Milot, Dritan Preçi, po punohet në fshatin e largët Vinjollë për hapjen e rrugës, ndërsa dy fshatra të tjerë kanë dalë tashmë nga izolimi.

Ndërkohë, disa familje në fshatin Gallatë janë evakuuar për shkak të përmbytjes së banesave dhe pritet të rikthehen së shpejti pas përmirësimit të situatës.

Në këtë zonë janë shfaqur gjithashtu probleme nga dëmtimi i linjës elektrike, ndërsa energjia tashmë është rikthyer.

Njëkohësisht, në fshatin Shperdhet të Kurbinit po punohet për hapjen e rrugës së dëmtuar nga dalja e shtratit të lumit Drojë, çka shkaktoi izolimin e të gjithë fshatit.

Sipas Bashkisë së Kurbinit, dy zonat më të prekura nga reshjet e tre ditëve të fundit janë Malësia e Kurbinit dhe Njësia Administrative e Mamurrasit, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drojë.