SITUATA E MOTIT NË VEND/ Ja çfarë raportohet për përmbytjet nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile

Gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e emergjencave civile në të gjithë vendin, kanë vijuar monitorimin e pandërprerë të situatës së krijuar nga reshjet intensive.

Ndërsa në disa zona gjendja është stabilizuar, disa qarqe si Vlora, Lezha dhe Fieri mbeten më të prekurat, ku është bërë edhe evakuimi i familjeve.

Në Vlorë, sot ka nisur tërheqja e ujërave të lumit Vjosa. Për shkak të prurjeve të larta, në njësinë administrative Novoselë u evakuuan 7 familje, të cilat janë strehuar te të afërm.

Po ashtu, 3 familje të tjera pranë urës së Mifolit u larguan për arsye sigurie. Në total, deri mbrëmjen e djeshme janë evakuuar 10 familje.

Në Himarë nga ana tjetër është hapur rruga midis Shën Vasilit dhe Nivicës, ndërsa vazhdon pastrimi i segmentit Selenicë-Rromës.

Ndërsa aksi Sarandë–Delvinë mbetet nën monitorim në zonën e Shelegarit për shkak të përmbytjes nga lumi i Kalasës.

Gjithashtu bëhet me dije se të gjitha rrugët hyrëse të Delvinës janë të kalueshme, ndërsa hidrovorët e Vlorës po punojnë me kapacitet të plotë.

Sa i përket qarkut të Fierit, në segmentet Kashisht–Çerven–Ferras, lumi ka dalë nga shtrati brenda argjinaturës duke përmbytur 50–60 ha tokë bujqësore. Në Çerven është evakuuar një familje me dy anëtarë.

Në 30 banesa të zonave Kashisht, Çerven dhe Ferras ka prezencë uji në oborre. Për masë sigurie, janë stakuar pompat në ujësjellësin e Kafarajt.

Edhe lumi Seman paraqet rritje prurjesh, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Ndërkaq në qarkun e Korçës, po monitorohen prurjet e lumenjve Devoll dhe Dunavec.

Në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6 po kryhet devijimi provizor i ujërave. Po ndërhyhet edhe në një banesë në Sheqeras.

Ndërsa në akset Qafë Plloçë-Qukës dhe Pogradec-Qafë Thanë po pastrohen gurët e rënë.

Në veri të vendit, specifikisht në qarkun e Lezhës raportohet se në Shënkoll dhe Zejmen, niveli i ujit rritet nga çarja e argjinaturës së lagunës së Vainit.

Po ndërhyhet për të mbrojtur banesat dhe bizneset, ndërsa në disa raste është kryer evakuim me varka.  Punime po zhvillohen edhe në aksin Skuraj-Gallatë-Vinjollë në Kurbin.

Në Mirditë situata është stabilizuar dhe vijon rehabilitimi i rrugëve. Lumi Drin ka shënuar ulje niveli.