Fushatë kundër femicidit, 121 gra e vajza viktima në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit

Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AW EN)  nisën fushatën  “Deri sa vdekja të na ndajë”, e cila synon parandalimin e femicidit, një nga problemet më të mprehta sociale jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin.

Fushata u mbështet nga kostumografja e njohur shqiptare Iliriana Basha, fustani unik i zi i nusërisë i së cilës, u shndërrua në një simbol të fuqishëm të luftës kundër femicidit.

“Kjo fushatë na fton të shohim realitetin pa iluzione: dhuna nuk është fat, nuk është rastësi, dhe nuk është një histori e largët. Ajo është një krizë shoqërore që prek familjet tona, komunitetet tona dhe institucionet që duhet të garantojnë siguri. Me këtë event, ne hapim një hapësirë reflektimi, dialogu dhe veprimi. Sot, performanca vizuale, modelja me fustanin e zi të nusërisë dhe mesazhet rreth nesh na kujtojnë se premtimi “derisa vdekja të na ndajë” nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në një realitet tragjik”, tha Mirela Arqimandriti nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

Nën sloganin “Deri sa vdekja të na ndajë”, fushata fokusohet në informimin dhe edukimin e publikut mbi mënyrat e njohjes së modeleve të sjelljes që shpesh çojnë në femicid dhe si të ndihmojmë dikë që mund të jetë në rrezik.

Sipas të dhënave zyrtare, në 10 vitet e fundit (2014-2024) 121 gra e vajza kanë qenë viktima të  vrasjeve me dashje në Shqipëri.

“Janë 121 nëna, motra dhe vajza që mungojnë sot në shtëpitë e tyre. Dhe ndaj kësaj nuk mund të heshtim. Femicidi nuk është vetëm një krim. Është shkalla e fundit e një rruge të gjatë dhune, dështimesh institucionale dhe heshtjeje shoqërore”, thuhet në njoftimin e qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

“Prandaj, fustani i zi i nusërisë, i krijuar nga Iliriana Basha, prezantohet në fushatë si një simbol kujtese dhe paralajmërimi. Një fustan nusërie, zakonisht shenjë e dashurisë, shpresës dhe fillimeve të reja, këtu na kujton gratë që humbën jetën nga dhuna dhe përgjegjësinë e shoqërisë për të reaguar në kohë. Përmes këtij simboli të fuqishëm, fushata bëhet një zë rezistence ndaj femicidit dhe një thirrje për veprim kolektiv”, vijon njoftimi.

Fushata “Deri sa vdekja të na ndajë” do të vazhdojë në periudhën në vijim me një sërë aktivitetesh të fokusuara në edukimin publik përmes materialeve informuese, burimeve dhe grupeve mbështetëse për gratë që përjetojnë dhunë, si dhe për komunitetet e tyre. Aleanca Gjinore për Zhvillim(GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AËEN)  na kujtojnë se femicidi nuk është çështje private, por përgjegjësi e të gjithë shoqërisë sepse veprimi i duhur në kohë mund të shpëtojë një jetë.