Rrugë të bllokuara, përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Bashkinë Devoll/ Zonat problematike

Sipas njoftimit zyrtar, strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë terrenin.

Në fshatin Arzë, ura kryesore është bërë e pakalueshme për mjetet, ndërsa është konstatuar edhe çarje në trotuarin që lidh dy lagjet, duke rrezikuar lëvizjen e banorëve. Janë marrë masa për devijimin e trafikut dhe sigurimin e zonës.

Në Njësinë Administrative Hocisht janë përmbytur disa sipërfaqe bujqësore. Rrugët e Stropanit dhe Grapshit janë prekur nga rrëshqitje dheu, të cilat po vështirësojnë qarkullimin. Ekipet e bashkisë po punojnë për pastrimin e segmenteve.

Në fshatin Pilur janë regjistruar rrëshqitje dheu që kanë bllokuar rrugën e një lagjeje, ndërsa në disa banesa ka depërtuar ujë. Ekipet e emergjencave dhe grupet e ndërhyrjes së shpejtë po punojnë për zhbllokimin dhe normalizimin e situatës.

Në Proger, uji ka dalë mbi nivel në rrugën kryesore të fshatit, duke krijuar probleme për lëvizjen e banorëve.

Shkarje dhe rënie gurësh janë evidentuar edhe në rrugën Miras–Arrëz, duke penguar qarkullimin. Punonjësit e bashkisë ndodhen në terren dhe ndërhyrjet për pastrim janë në vijim.

Bashkia Devoll njofton se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës, zhbllokimin e akseve dhe mbrojtjen e banorëve. Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron në mënyrë të vazhdueshme zonat e prekura.

Institucionet apelojnë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik dhe të raportojnë çdo problematikë tek strukturat përkatëse.

Në Qafë Plloçë në aksin e vjetër ka prezencë të shtuar të inerteve në rrugë. Edhe pse është një aks jo shumë i frekuentuar pas hapjes së re të rrugës Qukës-Qafë Plloçë përsëri evidentohen lëvizje. Inerte dhe dhera evidentohen përgjatë kësaj rruge.

Edhe në rrugën e re Qukës Qafë Plloçë ka shkarje të lehta të dheut në anë të rrugës teksa aktualisht evidentohet prania e grupeve të punës në terren gjithashtu në disa zona ka rrëzim të pemëve.