VIDEO/ Dy orë në SPAK për “21 Janarin”, Berisha pas dëshmisë: Protestën e organizoi Edi Rama
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë dëshminë e tij për herë të parë para prokurorëve të posaçëm lidhur me demonstratën tragjike të 21 janarit 2011 ku u vranë në bulevardin para Kryeministrisë 4 protestues të opozitës së atëhershme.
Pas dy orësh qëndrimi në SPAK, Berisha do të jepte dhe një deklaratë për mediat ku dha versionin e tij lidhur me këtë ngjarje.
“Jam pyetur se çfarë ndodhi më 21 janar. Kjo mos thirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mos thirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mos thirrjes.
Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA ka deklaruar dhe ka rideklaruar se me 21 janar, PS kishte agjendë dhune.
Ku janë ata mbështetësit e saj?
Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte agjendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj.
Tani, dëshminë time, ju mund të rrëmoni sa të doni, por do gjeni ato që kam thënë.
Ishte një proces normal, duhet ta pohoj këtu.
Në qoftë se këta që ishin aty, zhvilluan një procedurë në përputhje me ligjin dhe rregullat, kjo nuk mund të thuhet për Dumanin që po pinte kafe, jo me Pojën, po me këtë të fundit që i mori 5 milionë, Kreshnik Farrukun.
Po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. Po, i shkoi edhe në Manzë Kreshnik Farrukut. Dhe nuk flet gjë, hesht si fija e barit. Ai do heshtë, por unë nuk hesht se do mbroj interesat publike. Tani prisni një minutë.
Thirrja e një njeriu për të dëshmuar në këtë institucion është procedura më normale, por ama nuk është procedurë publike. Jo, nuk është publike. Të thërret, pyet, shkon.
Kurse ky Troplini, pa e marrë unë njoftimin, ia shpërndau medieve përmes zyrës së tij të shtypit në një akt të shëmtuar, duke dëshmuar se institucioni i tij është një institucion banal i propagandës socialiste.
Çfarë ka publiku ta marrë vesh para meje se unë jam thirrur për t’u pyetur për 21 janarin? Pra shikoni procedurën e tyre. Një procedurë është krejtësisht diskrete, që nuk ka asnjë lidhje as me mediat, as me publikun, ua jep përpara medieve përpara se të më japë mua.
Dhe bën për hir të Lubi Ballukut dhe Ramaduros, bën 2-3 javë duke furnizuar studiot e televizioneve të kontrolluara nga qeveria që të mos bëjnë debate për vjedhjen e 50 milionë eurove nga Lubi Balluku dhe Edi Rama vetëm në tunelin e Llogarasë, pa thënë skandalin tjetër të aeroportit të Vlorës, por të merren se Sali Berishën e kanë thirrur pas 13 vitesh për të dëshmuar për nj gjë, për të cilën në vlerësimin tim, duhej thirrur që ditën e parë të hetimeve pa asnjë lloj hezitimi.
Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që dritaret iu gjuajtën me gurë, njeriu që u kërkua të përmbyset pushteti i tij, iu kërkua të largohet ose do kalohet mbi kufoma. Këto janë të dokumentuara.
Dhe që kishte dalë nga një palë zgjedhje që kishin plotësuar standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e lira. Por Edi Rama me epshet e pushtetit kërkonte të përmbyste.”, u shpreh Berisha.
Berisha mbërriti në SPAK rreth orës 09:00 dhe do të merret në pyetje nga prokurorët e çështjes. Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për “21 Janarin” dhe rolin e tij në këtë çështje që tashmë është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Kryetari i Partisë Demokratike, i ka cilësuar “hetimin politike”, dhe se prej “13 vitesh çështja po përdoret për propagandë nga qeveria”.
Në 30 tetor SPAK mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për ngjarjen e 21 Janarit.
Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.
Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.
Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.
VIDEO - NDIQNI DEKLARATËN E PLOTË TË ISH-KRYEMINISTRIT SALI BERISHA PAS DËSHMISË NË SPAK

