10 vjet nga ngjarja në Paris/ Arrestohet 27-vjeçarja, ish-e dashura e xhihadistit të mbijetuar nga 13 nëntori 2015
Dhjetë vjet pas sulmeve terroriste në Bataclan që morën 130 jetë, Franca përkujton viktimat nën hijen e një kërcënimi të pranishëm xhihadist. Autoritetet arrestuan një 27-vjeçare të dyshuar për planifikim të një akti të ri dhune, duke kujtuar se rreziku nuk është zhdukur.
Dhjetë vjet pas sulmeve të përgjakshme terroriste në sallën e koncerteve Bataclan në Paris që shkaktuan 130 viktima dhe 400 të plagosur Franca përballet sërish me kujtimin e dhimbshëm të asaj nate tragjike dhe me paralajmërimin se kërcënimi xhihadist nuk është zhdukur.
Në prag të përvjetorit, autoritetet franceze arrestuan një grua 27-vjeçare, të quajtur Mawva B, ish-e dashura e Salah Abdeslamit, i cili është i vetmi anëtar i gjallë i celulës terroriste që kreu sulmin e 13 nëntorit 2015.
Ajo dyshohet se po planifikonte një akt të ri dhune pasi hetuesit gjetën në kompjuterin dhe telefonin e saj materiale radikale dhe dëshmi për komplot të mundshëm.
Tashmë ndodhet nën hetim gjyqësor bashkë me dy bashkëpunëtorë të tjerë.
Në sulmet e koordinuara të vitit 2015, që tronditën Evropën, terroristët sulmuan Stade de France, disa bare e kafene në kryeqytet dhe përfundimisht Bataclan-in, ku po mbahej një koncert i grupit amerikan The Eagles of Death Metal.

Në Francë, fjala Bataclan është kthyer në simbol të dhunës ekstremiste islamike.
Megjithëse Shteti Islamik është dobësuar ndjeshëm në Siri dhe Irak, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e të ashtuquajturit “xhihadizëm ambiental”, individë të radikalizuar në mënyrë të pavarur, shpesh përmes internetit dhe rrjeteve sociale.
“Kërcënimi tani është i brendshëm, ushqehet nga rrjetet sociale dhe ndjenja e zemërimit. Nuk kërkon më urdhra nga lart, mjafton frymëzimi”, thonë ekspertët.
Në mbrëmjen përkujtimore të së enjtes, Kulla Eiffel u ndriçua me ngjyrat e flamurit francez: blu, të bardhë dhe të kuqe, në nder të viktimave.

Ceremonitë u zhvilluan në të gjitha vendet ku ndodhën sulmet, ndërsa pranë Bashkisë së Parisit u hap një kopsht memorial.

