KONGRESI PUBLIKOI DOSJET "EPSTEIN"/ Dokumente të reja zbulojnë lidhje politike dhe mbretërore tronditëse
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka publikuar dokumente të reja që lidhen me hetimin e Jeffrey Epstein, duke përfshirë qindra mijëra faqe emailesh dhe dëshmish të klasifikuara më parë. Në qendër të vëmendjes është ish-princi britanik Andrew Mountbatten. Komiteti Mbikëqyrës i Kongresit kërkon që ai të dëshmojë publikisht për marrëdhëniet e tij me financierin e ndjerë.
Në Shtetet e Bashkuara është rikthyer në qendër të vëmendjes skandali Epstein.
Dhoma e Përfaqësuesve ka deklasifikuar mijëra dokumente që hedhin dritë mbi rrjetin e ndikimeve të financierit të ndjerë, i akuzuar për trafikim seksual të vajzave të mitura.
Në mesin e emrave që përmenden gjendet sërish ai i ish-princit britanik, Andrew Mountbatten-Windsor.Publikimi i dosjeve nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve vjen pas muajsh presioni nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për transparencë të plotë.
Dokumentet përfshijnë komunikime të reja emaili midis Epstein dhe figurave të njohura, përfshirë edhe Andrew Mountbatten-Windsor.
Në një nga mesazhet e vitit 2011, Andrew i shkruan Epstein-it: “Ju lutem sigurohuni që çdo deklaratë të thotë se NUK jam i përfshirë... Nuk mund ta duroj më këtë."
Ky email, sipas ekspertëve ligjorë, tregon përpjekje të qarta për të ndikuar në narrativën publike mbi marrëdhënien e tij me Epstein dhe akuzat për abuzim seksual.
Pas publikimit të dokumenteve, Mbretëria ka konfirmuar se Mbreti Charles III ka firmosur dekretin për heqjen e titullit “Princ” ndaj Andrew-t, duke e zhveshur nga çdo rol zyrtar në familjen mbretërore.
Në Uashington, Komiteti Mbikëqyrës ka thirrur Andrew Mountbatten-Windsor për të dëshmuar përpara Kongresit. Letra zyrtare kërkon që ai të paraqitet “në mënyrë vullnetare” për një intervistë të transkriptuar lidhur me kontaktet e tij me Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij.
Komiteti po shqyrton nëse ndonjë figurë politike amerikane apo e huaj mund të ketë përfituar nga ndikimi i Epstein për mbrojtje ligjore apo financiare.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu korrespondenca që konfirmojnë autenticitetin e fotografisë famëkeqe të Andrew-t me Virginia Giuffre, e cila pretendon se është abuzuar prej tij në moshë të mitur. Në një email të veçantë, vetë Epstein pranon:
“Po, ajo ishte në aeroplanin tim, dhe po, ajo u fotografua me Andrew-n
Publikimi i dosjeve Epstein ka hapur një kapitull të ri në hetimet ndërkombëtare për rrjetin e ndikimeve politike dhe seksuale që ai ndërtoi për dekada.
Në lidhje me dosjen Donald Trump ka bërë një koment mbi emailet e Jeffrey Epstein, të cilat sipas demokratëve e përfshijnë presidentin amerikan në një nga dosjet më të përfolura në media.
Disa orë pasi ato u publikuan nga Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një postim në Truth Social, ai pretendon se çështja e Jeffrey Epstein “është një mashtrim” dhe një “kurth” i ngritur nga Demokratët. Ai komenton se “vetëm një republikan shumë i keq ose budalla do të binte në këtë kurth”.
“Nuk duhet të ketë shpërqendrime ndaj Epstein ose ndonjë gjëje tjetër. Republikanët e përfshirë duhet të përqendrohen vetëm në hapjen e vendit tonë dhe riparimin e dëmit të madh që shkaktuan Demokratët!”, shkroi presidenti.

