ÇAJ ME KETAMINË/ Gjenden pakot nëpër brigjet e ishullit Jeju në Korenë e Jugut! 28 kg të mbështjella me letër alumini
Në brigjet e ishullit Jeju në Korenë e Jugut janë gjetur pako të mbushura me ketaminë, të kamufluara si çaj kinez. Autoritetet dyshojnë për një rrjet ndërkombëtar trafikantësh dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos i prekin objektet e dyshimta në bregdet.
Që nga shtatori, banorët e ishullit Jeju në Korenë e Jugut kanë filluar të gjejnë nëpër brigje pako që duken si çaj kinez, por që në fakt përmbajnë ketamin, një drogë e ndaluar për përdorim.
Sipas policisë, deri tani janë gjetur rreth 28 kilogramë të mbështjella me letër alumini dhe me etiketa që mbishkruajnë “çaj”.
Pako të tilla janë zbuluar të paktën tetë herë në zona të ndryshme të ishullit.
Autoritetet kanë ngritur një njësi hetimore të Rojës Bregdetare ku mbi 800 ushtarë, policë dhe vullnetarë civilë janë angazhuar në kërkime.
Ekspertët dyshojnë se pas kësaj qëndron një rrjet ndërkombëtar trafikantësh.
Disa raste të ngjashme janë raportuar edhe në Pohang Koreja e Jugut dhe ishullin Tsushima në Japoni.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos prekin asnjë objekt të dyshimtë që gjejnë në bregdet, por të njoftojnë menjëherë policinë.

