Rusia i bën thirrje SHBA-së të shmangë veprimet që do të përshkallëzonin k*nfliktin në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se shpresonte që Shtetet e Bashkuara të shmangnin veprimet që mund ta përshkallëzonin më tej konfliktin në Ukrainë, duke vënë në dukje se  Donald Trump ka kohë që mbështet dialogun e drejtpërdrejtë me Moskën. Në një intervistë, Lavrov tha se Trump ishte përpjekur të kuptonte plotësisht qëndrimin rus ndaj Ukrainës dhe kishte treguar angazhim për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme paqësore.

"Ne mbështetemi te logjika dhe se ky qëndrim do të mbizotërojë në Uashington dhe se veprimet që mund ta përshkallëzojnë konfliktin do të shmangen", tha ai.

Mediat e huaja shkruajnë se sipas agjencisë ruse, Lavrov tha se Trump ka pranuar se një nga faktorët pas veprimeve të Rusisë ishte zgjerimi i NATO -s dhe zhvillimi i infrastrukturës së aleancës më afër kufirit rus. Ai tha në thelb, kjo është diçka për të cilën Presidenti Vladimir Putin  dhe Rusia kanë paralajmëruar për 20 vite. 

Trump dhe Putin zhvilluan bisedime në Alaska në gusht, dhe Lavrov foli në telefon me homologun e tij amerikan  Marco Rubio më 20 tetor rreth një samiti të ri të mundshëm, pas një telefonate midis dy udhëheqësve. Trump më vonë tha se e kishte anuluar takimin.

Lavrov akuzoi qeveritë evropiane për minimin e përpjekjeve për paqe. Evropa, tha ai, saboton të gjitha përpjekjet për paqe dhe refuzon kontaktet e drejtpërdrejta me Moskën. Ata po vendosin sanksione të reja që po kthehen kundër dhe po i godasin ekonomitë e tyre edhe më fort. Ata po përgatiten hapur për një luftë të re të madhe evropiane kundër Rusisë. Ai vuri në dukje se Rusia do të ishte gati të rifillonte kontaktet me Evropën "kur të kalojë kjo histeri rusofobe.

Udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar Rusinë se po zhvillon një luftë hibride kundër vendeve të BE-së. Vendet e BE-së që mbështesin Ukrainën ranë dakord kohët e fundit për një paketë të 19-të sanksionesh dhe po diskutojnë mbështetje shtesë financiare për Kievin, qoftë përmes kredive ose përmes përdorimit të aseteve të ngrira ruse.