NË SPITAL VETËM ME BURKA/ Talebanët detyrojnë gratë: Të mbuluara ose nuk merrni shërbim! Mjekët pa kufij: Po rrezikohet jeta e grave
Talebanët në Afganistan janë duke i forcuar rregullat e rrepta kundër grave. Autoritetet në qytetin Herat kanë marrë një vendim së fundi që ndalon gratë në spitale nëse ato nuk janë të mbuluara me burka. Sipas organizatës ndërkombëtare Mjekë pa kufij, një masë e tillë me rrezikon aksesin e grave dhe vajzave në kujdesin mjekësor, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Në Afganistan, autoritetet talebane kanë vendosur që gratë – paciente, shoqëruese dhe personel – të hyjnë në spitalet publike të qytetit Herat vetëm nëse mbajnë burka.
Masa ka shkaktuar rënie të menjëhershme të shërbimeve shëndetësore për gratë, ndërsa organizata “Mjekë pa kufij” paralajmëron se vendimi rrezikon aksesin e tyre në kujdesin mjekësor.
Rregulli hyri në fuqi më 5 nëntor dhe çoi në një ulje prej 28% të pranimeve urgjente vetëm në ditët e para. Përfaqësuesja e organizatës, Sarah Chateau, tha se gra pa burka janë kthyer nga hyrja e spitaleve nga roje talebane, duke ndikuar edhe te ato me nevojë urgjente për trajtim.
“Disa gra janë rikthyer vetëm pasi kanë siguruar një burka, por mbetet shqetësim i madh për ato që nuk mund ta mbajnë,” u shpreh Chateau për BBC.
Ndërsa dëshmitarë të tjerë raportojnë se ditët e fundit zbatimi i rregullit është zbutur, ministria talebane e Virtytit dhe Veseve mohon plotësisht se gratë po detyrohen të mbajnë burka, duke insistuar se bëhet fjalë vetëm për respektimin e hijabit. Megjithatë, aktivistë lokalë thonë se masa po zbatohet në spitale, shkolla dhe zyra shtetërore.
Kjo nuk është hera e parë që talebanët imponojnë kufizime të rrepta ndaj grave. Që prej rikthimit në pushtet në vitin 2021, vajzave u është ndaluar shkollimi i mesëm, grave u është ndaluar puna në shumicën e profesioneve, ndërsa OKB e ka cilësuar politikën e tyre si “apartheid gjinor”.
Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se masa e re në Herat rrezikon të izolojë edhe më shumë gratë afgane, sidomos në aksesin jetik ndaj kujdesit shëndetësor.

