Atentati në Rinas, Berisha: Është vepër e eksponentëve të krimit, të lidhur si “mishi me thoin” me qeveritarët
Atentati në Rinas i dy ditëve më parë ishte në qendër të vëmendjes së kryedemokratit Sali Berisha në konferencën e mbajtur këtë të enjte me gazetarët në selisë blu.
“Është vepër e eksponentëve të krimit, të lidhur si “mishi me thoin” me qeveritarët”, u shpreh i bindur Berisha.
DEKLARATA E BERISHËS
Ekzekutimi publik në vendin më të sigurt të shtetit, aeroportin e Rinasit, është vepër e padiskutueshme e eksponentëve të krimit, të lidhur si mishi me thoin me qeveritarët shqiptarë.
Breshëritë e kallashnikovit dhe pistoletës që u shkrehën mbi trupin e Danit dhe Shaljanit vetëm pak minuta para apo pas se të kalonte një delegacion, i cili shoqërohej me eskortë policie, dëshmon e pasigurisë ekstreme që ekziston në këtë vend në çdo skaj, në çdo qoshe.
Por unë i rikthehem kësaj çështje për një faktor tjetër që mediat po e mohojnë, po e censurojnë.
Muç Shaljani apo Sheqeri ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Dhe kjo është e faktuar dhe dokumentuar.
Muç Shaljani është angazhuar me të gjithë bandën dhe paratë e tij të krimit në blerje votash për ministrin Hoxha dhe në mbështetje të tij. Shaljani është anëtar aktiv i të njëjtës bandë me Danin.
Me njërin nga vëllezërit e tij ai ka pasuri të mëdha, të vendosura që të gjitha nga droga, gjobat dhe ryshfetet. Shaljani u fut në radhët e policisë nga Hoxha pas misionit të suksesshëm në vjedhjen e votave.
Hoxha nuk ka folur për ushtarin e tij, që e futi në radhët e policisë, vetëm e vetëm që të mund të përdorte uniformën e policisë për trafiqe.
Gilmando Dani ka qenë badigard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe. Se në qoftë se ti bashkëpunon me kriminelët, ti kryen një krim, sikundër edhe Hoxha.
Ai ka përdorur të gjithën bandën e tij, se në fakt Dani ishte eksponenti më kryesor i akuzuar për një seri vrasjesh dhe aktesh të tjera, i bandës famëkeqe të Shullazit.
Pra, siç e shihni, dy viktimat që u ekzekutuan në vendin më të sigurt, ishin lejtnantë të dy ministrave të kabinetit të shkuar.
Ndiqeni me interes, pas zgjedhjeve Shaljani shpërblehet me spaletat e oficerit të policisë në një nga vendet më delikate të shërbimeve të inteligjencës policore, të keqpërdorura tashmë në mënyrë të dokumentuara nga bandat dhe krimi në të gjitha aspektet.

