Vokshi: Asnjë informacion mbi buxhetin për integrimin në BE, Dhuka rreshton prioritetet
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme po zhvillon sot një dëgjesë me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Majlinda Dhuka, mbi projektbuxhetin për vitin 2026.
Në fillim të mbledhjes zëvendëskryetarja e këtij komisioni, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi tërhoqi vëmendjen pasi, sipas saj, anëtarët e komisionit nuk disponojnë ndonjë relacion apo dokument mbi mbështetjen konkrete buxhetore që kërkohet në procesin e negociatave.
Vokshi u shpreh se nuk u është vënë në dispozicion asnjë informacion mbi buxhetin e alokuar për këtë qëllim.
“Ne duam t’ju ndihmojmë dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu. Por nuk kemi asnjë informacion, nuk shoh buxhet të alokuar për të përballuar atë që vjen në procesin e integrimit në vitin 2026 dhe vitin 2027. Nëse doni diçka, duhet të bëni kërkesa dhe ne t’jua miratojmë, pasi integrimi është një proces prioritar”, shtoi Vokshi.
Nga ana e saj, Dhuka detajoi mbështetjen buxhetore për kritere që lidhen me anëtarësimin, sipas sektorëve përkatës.
Sipas saj, kriteret kryesore të anëtarësimit në BE lidhen me konsolidimin e Reformës në Drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë drejtim, Dhuka theksoi se buxheti mbështet investimet në digjitalizimin e KLP-së dhe KLGJ-së. Administrimi i çështjeve gjyqësore, sipas saj, do të jetë tërësisht i digjitalizuar brenda vitit 2029.
“Kjo parashikon ngritjen e sistemit dhe digjitalizimin e arkivave. Ky projekt mbështetet nga buxheti i shtetit dhe Bashkimi Europian”, shtoi Dhuka.
Po ashtu, sipas saj, buxheti 2026 parashikon përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe të sigurisë në një numër gjykatash të vendit, angazhime këto në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE.
Mbështetja me buxhet, sipas saj, është edhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ku parashikohet një investim prej 630 milionë lekësh për institucionin e rehabilitimit të të miturve.
Dhuka theksoi se një element tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me pronat, ku buxheti parashikon vazhdimin e digjitalizimit të pronave përmes Kadastrës.
Për kompensimin e ish-pronarëve, Dhuka nënvizoi se parashikohen në buxhet 2,5 miliardë lekë.
Gjurmimi dhe rikuperimi i aseteve kriminale, një kërkesë kjo e BE-së, sipas Dhukës gjen po ashtu mbështetje në buxhet me krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve Kriminale.
“Buxheti mbështet krijimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm kundër drogave, për të punuar në drejtim të parandalimit të trafikut të drogave, edhe kjo kërkesë nga BE. Po ashtu parashikohet ngritja e Observatorit Kombëtar të Drogave”, shtoi Dhuka.
Prioritet në fushën e tregut të brendshëm, sipas Dhukës është rritja e konkurrueshmërisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
“Buxheti 2026 mbështet pozicionimin e Shqipërisë si destinacion i rëndësishëm për investime të huaja direkte, që janë aktualisht në trend rritës. Vendet e BE-së janë ndër investitorët kryesorë të huaj në Shqipëri në sektorë nga energjia, deri te turizmi. Buxheti parashikon aktivitete promovuese e pjesëmarrje në 50 panaire kombëtare e aktivitete promovuese për ta pozicionuar Shqipërinë si destinacion investimesh të huaja”, tha Dhuka.
Procesi i integrimit europian, sipas Kryenegociatores, sjell tërheqjen më të madhe të investitorëve europianë drejt vendit.

