LISTA E AKTEVE/ Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri, firmosen 16 marrëveshje në 8 sektorë

Shqipëria dhe Italia mbajnë sot në Romë samitin e parë ndërqeveritar, ku tri janë çështjet kryesore: mbrojtja, industria dhe emigrantët.

Mbledhja e parë mes qeverive të dy vendeve do të drejtohet nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama. Kjo është konfirmuar nga qeveria italiane përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ku thuhet se samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri do të mbahet sot, në orën 11:30.

Gjatë samitit pritet të ketë dhe takime dypalëshe të ministrave me homologët e tyre. Marrëveshjet pritet të shtrihen në fushën e sigurisë, emigracionit, shëndetësia, energjia, turizmi, ekonomia e tjerë.

LISTA E MARRËVESHJEVE PËR TAKIMIN NDËRQEVERITAR SHQIPËRI – ITALI

SEKTORI: BASHKËPUNIM STRATEGJIK (G2G)

1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për bashkëpunim strategjik në kujdesin shëndetësor, energji, mjedis, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, trajtimin e migracionit të parregullt, arsim, inovacion, diasporë, transformim ekonomik dhe rritjen inteligjente.

SEKTORI: SIGURI KIBERNETIKE

2. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane mbi bashkëpunimin për sigurinë kibernetike.

SEKTORI: POLICI & BASHKËPUNIM GJYQËSOR

3. Memorandum Mirëkuptimi mbi operacionet antidrogë ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë Qendrore për shërbimet kundër drogës në Ministrinë e Brendshme të Republikës Italiane.

SEKTORI: SHËNDETËSI

4. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për grantin për zbatimin e Projektit: “Përparimi i Shëndetit Neonatal dhe të Nënës në Shqipëri (ANMA)-AID 013307”.

SEKTORI: MBROJTJE

5. Marrëveshja kuadër mes dy qeverive për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

6. Marrëveshje Teknike ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Qeverisë së Italisë për transferimin e dy motovedetave për forcimin e kapaciteteve operacionale të Rojës Bregdetare Shqiptare.

7. Memorandum Mirëkuptimi midis KAYO sh.a. dhe Fincantieri S.p.A. në fushën e industrisë së mbrojtjes.

8. Memorandum Mirëkuptimi midis KAYO sh.a. dhe Leonardo S.p.A. “Mbi promovimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes”.

SEKTORI: MBROJTJE CIVILE

9. Marrëveshje mes dy qeverive për huan mbi zhvillimin e sistemit të mbrojtjes civile.

10. Marrëveshje mes dy qeverive për grantin për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile.

11. Memorandum Mirëkuptimi midis Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane “Mbi Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes Civile”.

12. Deklaratë trilaterale bashkëpunimi mes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim “AICS Tirana”, Departamentit të Mbrojtjes Civile italiane dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shqiptare.

SEKTORI: KULTURË

13. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit MAXXI – Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit XXI, Romë.

SEKTORI: ZHVILLIM EKONOMIK

14. Marrëveshje ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe SIMEST S.p.A. për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare.

15. Hua financiare për përmirësimin e rrjetit elektrik në Veri të Shqipërisë pas tërmetit 2019 (AID 12329).

16. Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim teknik ndërmjet Cassa Depositi e Prestiti dhe Ministrisë së Financave.