Mbi 80 plumba benzit jo të blinduar. Makinën Vis Kosova ia kishte dhënë G. Sh. Si përfundoi mjeti në dorën e Danit?
Nga Elton Qyno
Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën, ku Gilmando Dani dhe miku i tij, Mustafa Sheqeri u sulmuan nga 3 njerëz të armatosur duke sjellë vdekjen në vend të Danit.
Gjatë këtyre orëve të hetimit, policia kriminale ka zbuluar se makina jo e blinduar tip "Mercedes-Benz", i përket Ervis Kosovës, djalit të biznesmenit të ndërtimit Arben Kosova.
Sipas burimeve të gazetarit Elton Qyno, Kosova ia kishte dhënë makinën shtetasit Gentian Sh., një personazhi që në muajin Gusht 2025 mbeti i plagosur në afërsi të zonës së Komisariatit Nr.3 në Tiranë.
Me sa duket, dyshimet janë se Gentian Sh, makinën e Ervis Kosovës, ia ka lënë në dorë të Mustafa Sheqerit ose Gilmando Danit, të cilët e kanë përdorur në datën 7 nëntor 2025 për të shkuar në drejtim të aeroportit të Rinasit, nga ku më pas do udhëtonin drejt Barcelonës në Spanjë.
Makina e Kosovës ka qëndruar e pa lëvizur për 3 ditë me radhë në garazhin e aeroportit të Rinasit, ndersa mjeti doli nga parkingu pikërisht mesditën e djeshme kur dhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Policia e Tiranës ka kërkuar marrjen në pyetje të Ervis Kosovës, me qëllim pyetjen e tij si person që zbulon dhe ka dijeni për rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka sekuestruar mbi 80 gëzhoja automatiku, fakt i cili tregon se Mustafa Sheqeri dhe Gilmando Dani, janë përballur me një intensitet të lartë të shtënash, pa i dhënë mundësi të largohen dhe të reagojnë për tu mbrojtur.
Gilmando Dani ka qenë objektivi kryesor i këtij sulmi pasi drejtimi më i madh i plumbave janë lëshuar pikërisht nga këndi ku ndodhej ai.
Hetimet janë fokusuar në disa pista hetimore, siç është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, konfliktet e fajdet financiare e deri tek bashkëpronësia tek disa sipërfaqe toke prapa zonës së "Casa Italia" dhe trafiku i kokainës.
Dani dhe Sheqeri, sapo ishin kthyer nga Spanja, ku besohet nga policia se kishin shkuar për koordinim të punëve në trafikun e drogës.

