Identifikohet burri në Durrës që një djalë vetëm 18 vjeç i mori jetën me një grusht

Ngjarja tragjike ndodhi në fshatin Arapaj. Sipas Policisë, viktima Saimir Fetahu, 52 vjeç, ra me kokë në tokë pas një goditjeje të vetme nga 18-vjeçari L. Ç., i cili u arrestua më pas

Durrës – Detaje të reja janë zbuluar mbi ngjarjen e rëndë që tronditi komunitetin e fshatit Arapaj në Durrës, ku një debat i momentit mes dy personave përfundoi me një viktimë fatale.

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës konfirmojnë se personi që humbi jetën është Saimir Fetahu, 52 vjeç, banor i zonës. Ai ka ndërruar jetë si pasojë e dëmtimit të rëndë në kokë, pasi është rrëzuar në tokë pas një goditjeje me grusht nga i riu L. Ç., 18 vjeç, i cili u ndalua nga policia pak pas ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta, dhe është përshkallëzuar në pak sekonda. Goditja e vetme e 18-vjeçarit ka qenë fatale, pasi viktima është përplasur me kokë në asfalt, duke pësuar dëmtime të rënda në tru.

Edhe pse u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 52-vjeçari nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 10 nëntorit 2025.

Hetimet e deritanishme të specialistëve për Hetimin e Krimeve ndaj Personit po vazhdojnë për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes. Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka marrë në dorë materialet procedurale për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” me pasojë vdekjen.

Banorë të zonës shprehen se janë të tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar viktimën si “njeri të qetë dhe punëtor”, ndërsa për 18-vjeçarin thonë se “nuk kishte shfaqur më parë probleme me ligjin”.

Policia e Durrësit ka bërë të ditur se vijon punën për mbledhjen e provave dhe dëshmive shtesë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morg për ekzaminim mjeko-ligjor. /noa.al