Bllokohen 75 ton misër nga Serbia në Hanin e Hotit
Vetëm pak ditë më parë, AKU kishte bllokuar 25 tonë misër nga i njëjti subjekt eksportues, duke e çuar në 100 tonë sasinë totale të ndaluar për momentin.
Sipas AKU Shkodër, misri është bllokuar në doganën e Hanit të Hotit me qëllim kryerjen e analizave laboratorike për të përcaktuar nëse ka prezencë të lartë të aflatoksinës B1, një substancë toksike dhe kancerogjene që tejkalon normat e lejuara në Shqipëri.
Ndërkohë, AKU ka bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë rezulton se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë.
Burime nga dogana e Hanit të Hotit bëjnë të ditur se deri më tani janë rreth 200 tonë misër të bllokuara në total, për të cilat do të kryhen analizat përkatëse.
Në rast se konfirmohet prania e substancave të ndaluara, këto mallra nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.
AKU Shkodër ka marrë gjithashtu 6 masa paralajmëruese ndaj farmacive bujqësore për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë kontrolleve.
