Pse qytetarët janë indiferentë përballë krimit? Sociologia Dhamo shpjegon arsyet
Në një intervistë për “Ora News”, sociologia Eris Dhamo shpjegoi arsyet pse qytetarët shqiptarë shpesh nuk reagojnë ndaj ngjarjeve kriminale, duke e lidhur fenomenin me historinë dhe strukturën sociale të vendit.
" Krimi në këtë vend është një histori 30 vjeçare. Kjo jo për të normalizuar krimin por për të kujtuar që shoqëria jonë ka njohur krime më makabre se kjo. Vijmë nga 2 lufta civile, nga 90 dhe 97. Dy ngjarje me kriminalitet shumë të shtuar në këtë vend dhe me shfaqje ekstreme dhune, vrasje pa fund dhe elementë të tillë.
Ne si shoqëri përsa i përket krimit kemi fituar një farë imuniteti sepse nëse do të më duhet të krahasoj disa dekada më përpara me tani, ne kemi një rënie të dozës kriminale dhe të krimit në rrugë.
Kjo ndoshta ka krijuar imunitetin dhe reagueshmërinë tonë të ulët.
Elementi i dytë është në referencë të personifikimit të individit të përfshirë në veprën kriminale. Nëse individi i cili do ishte përfshirë në një vepër kriminale do ishte një individ me vlera për këtë shoqëri, atëherë unë kam përshtypjen që dhe reagimi qytetar do ishte përkrahë këtij individi.
Ndërkohë nëse kemi të bëjmë me një individ i cili përfaqëson po prap një shtresë kriminale, i përfshirë në një aktivitet kriminal, po prap një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve do mbajnë qëndrimin që e gjeti nga të vetët, ashtu siç ishte i përfshirë në atë aktivitet dhe vuajti.
Elementi i tretë që ka ndikuar në mosreagimin qytetar është sepse kemi të bëjmë me një vrasje të tipit mafioz, sepse kemi të bëjmë me një vrasje të organizuar, me armë të sofistikuara, me autorë që zhduken lehtësisht, me gjithë detajet e mundshme që mund ta konsiderojmë të tillë", u shpreh Dhamo.
