Përfituan miliona duke shkelur ligjin. Pse hesht “AGNA” dhe Vasil Gjika?
Përmbytja e fshatit Bunec, në janar të këtij viti ishte pasojë e abuzimeve në ndërtimin e HEC-it në Sasaj, me cilësinë e punimeve dhe fuqinë e instaluar në shkelje të kontratës. Auditet ndërkohë kanë zbuluar pazare mes “ANGA Grup” e Vasil Gjikës që qëndronin të fshehura prej 16 vitesh
Fshati Bunec përfundoi nën ujë, jo nga natyra, por shkeljet e firmës koncensionare të HEC-it “Sasaj.
Ky ishte përfundimi i KLSH-së, që ka evidentuar shkelje te rënda në respektimin e kontratës dhe cilësinë e punimeve.
Sipas KLSH-së, koncensionari është shoqëria “ENERGO-SAS” themeluar në vitin 2001.
Në vitin 2008 shoqëria “AGNA” e përfaqësuar nga Administratori i saj, z. Vasil Naçi ka blerë 30% të kuotave të shoqërisë “ENERGO-SAS”.
Më pas nga viti në 2014 deri në 2024, AGNA kishte më shumë se gjysmën e kapitalit, praktikisht 56% të kuotave ndërsa pjesën tjetër e kishte ish-deputeti Vasil Gjika.
Auditimi i KLSH-së ka zbuluar një skandal që ka qenë i fshehur për 16 vite.
Nga verifikimi i dokumentacionit si dhe verifikimi në objekt rezulton se fuqia e instaluar për HEC “Sasaj” është 8600 KW.
Referuar përcaktimeve të kontratës koncesionare, fuqia e projektuar për këtë vepër është 5,500 KW.
E thënë më thjesht HEC “Sasaj” ka instaluar më shumë fuqi se sa ishte lejuar në kontratë, duke krijuar probleme që kanë dëmtuar sistemin.
Fuqia e instaluar është tejkaluar 56% nga ajo e miratuar në kontratë çka do të thotë më shumë fitim për koncensionarin.
Në lidhje me këtë fakt televizioni “Ora News” i është drejtuar me një kërkesë për informacion shoqërisë “AGNA” .
Administratori i kësaj shoqërie, z. Kristo Naçi e kalon përgjegjësinë për këtë shkelje te ortaku z. Vasil Gjika, pasi sipas tij, ndërtimin e veprës dhe shfrytëzimin për prodhimin e energjisë elektrike e ka kryer shoqëria “Wonder”.
Edhe pse ngre dyshime të arsyeshme fakti që aksioneri, i cili ka më shumë se gjysmën e kapitalit të mos ketë informacion specifik për ndërtimin e veprës, në kuadër të transparencës me publikun dhe median i kemi parashtruar pyetjen:
- Duke qenë se fuqia e instaluar është tejkaluar me afro 56% nga ajo e miratuar në kontratë, a mund të konfirmoni se kompania ka përfituar në mënyrë të padrejtë të ardhura shtesë nga prodhimi energjetik jashtë kushteve të kontratës?
Nëse jo, ju lutem paraqisni analizën e përfitimeve ekonomike të krahasuara me fuqinë e miratuar.
Zoti Naçi ka refuzuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Ka një varg shkeljesh të konstatuara nga KLSH, ndërkohë që “AGNA” refuzon të bëjë transparencë për pyetje që ende presin përgjigje.
Më konkretisht:
- Pse nuk është lëshuar sasia e ujit ekologjik në rrjedhën natyrore të lumit gjatë vitit 2022 dhe në vazhdim?
- Pse nuk janë marrë masa për të paralajmëruar apo kompensuar banorët e zonës për rrezikun që përbënte presioni i basenit, i cili më pas pësoi shembje?
Televizioni “Ora News” ka kërkuar informacion edhe nga “Wonder” sha, ky i fundit ka refuzuar t’i kthejë përgjigje kërkesës për informacion.
Në datë 8.4.2024, “AGNA”i ka shitur kuotat e saj në vlerën pesë milionë e shtatëqind mijë euro ortakut Vasil Gjika.


