100-vjetori i Bankës së Shqipërisë, Rama: Moment i rëndësishëm. E vetmja që mund të quhet institucion me plot gojë
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet më të konsoliduara dhe më të besueshme të shtetit shqiptar.
Në Konferencën me rastin e 100 vjetorit të themelimit të BSH, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ky është një institucion që na përfaqëson si një model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.
Sipas tij, nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për shumë institucione të tjera të cilat ende janë “në proces formimi dhe konsolidimi”.
“Moment i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë, më lejoni ta nis duke cituar dikë që për ju është një nga pikat e referimit. Detyra e BSH qëndrore është të garantojë që në afatshkurtër gjithçka të jetë brenda kornizës së një afati të gjatë. Duke ardhur në këtë moment celebrimi, mendoja që BSH është në mos i vetmi, ndër të paktit, të republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, institucion.
Në atë kuptim dhe me ato standarde, kur kemi parasysh të flasim për ato institucione që i duhen këtij vendi. Bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret të qenurit në një botë të zhvilluar. Për hir të vërtetës nuk është se BSH ka një histori më të gjatë se qeveria e Shqipërisë, apo disa institucione”, tha Rama.
