PAMJET/ Kroçera “Nieuw Statendam” me turistë nga vende të ndryshme në Sarandë

Në Portin e Sarandës, një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turizmin në jug të Shqipërisë, edhe gjatë muajit tetor ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i Portit, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se “gjatë muajit tetor 2025, në Portin e Sarandës u regjistruan gjithsej 54.480 udhëtarë, duke shënuar një rritje prej 15,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur numri i pasagjerëve ishte 47.254″.

Malaj bëri të ditur se “në totalin 10-mujor të këtij viti, përmes portit kanë lëvizur 740.878 pasagjerë, kundrejt 605.134 të një viti më parë, duke reflektuar një rritje të ndjeshme prej 22,4%”.

“Këto shifra tregojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje të lëvizjes së pasagjerëve dhe rritje të interesit për destinacionin turistik të Sarandës”, theksoi Malaj.

PAMJET/ Kroçera “Nieuw Statendam” me turistë nga vende

Muaji që ka shënuar fluks më të lartë udhëtarësh në Portin e Sarandës është gushti, ku kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 200 mijë udhëtarë. Por edhe muajt e vjeshtës shtatori dhe  tetori kanë shënuar numër të lartë pasagjerësh që udhëtojnë nga Saranda drejt Korfuzit dhe anasjelltas.

Malaj tha se në port vijon ende ardhja e kroçerave turistike.

“Ditën e djeshme në port ka mbërritur kroçera “Nieuw Statendam” e kompanisë prestigjioze Holland America Line, duke sjellë 2592 pasagjerë të kombësive të ndryshme.

PAMJET/ Kroçera “Nieuw Statendam” me turistë nga vende

Mbërritja e kësaj kroçere përbën një tjetër dëshmi të interesit në rritje të turistëve ndërkombëtarë për Sarandën, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit detar dhe ekonomik lokal”, tha Malaj.

Porti i Sarandës i shërben jo vetëm qytetit, por gjithë Rivierës, duke qenë një pikë kyçe lidhëse për vizitorët vendas dhe të huaj.