Fermerët grekë protestojnë në Athinë për shkak të vonesave të subvencioneve

Fermerët grekë zhvilluan një protestë përpara Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit në Athinë, kundër vonesave në pagesat e subvencioneve dhe ndikimit të shpërthimit të lisë së deleve në prodhimin blegtoral, raporton Anadolu.

Protestuesit fillimisht marshuan drejt Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, e më pas vazhduan drejt selisë së OPEKEPE-së, institucionit publik që është nën hetim nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) për dyshime korrupsioni në pagesat e subvencioneve.

Fermerët theksuan rritjen e kostove të prodhimit dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të fondeve të vonuara të mbështetjes qeveritare, të cilat janë pezulluar për shkak të hetimit të korrupsionit në OPEKEPE.

Forcat e sigurisë morën masa paraprake gjatë protestës.

EPPO hapi hetimin në maj, për dyshime mashtrimi që lidhen me subvencionet e shpërndara përmes OPEKEPE-së. Në qershor, skandali çoi në dorëheqjen e një ministri dhe tre zëvendësministrave, ndërsa subvencionet për fermerët u ngrinë përkohësisht në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Ndërkohë, rreth 32.000 dele dhe dhi janë asgjësuar në rajonet e Maqedonisë Lindore dhe Trakisë që nga gushti, për shkak të shpërthimit të lisë së deleve që ka prekur blegtorinë në mbarë vendin.