Bylykbashi: Shqiptarët kanë të drejtë ta mbrojnë familjen me referendum
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, reagoi sot në lidhje me miratimin e projektligjit në Kuvend për “Barazinë gjinore”. Përmes një postimi në rrjetet sociale Bylykbashi theksoi se ligji për barazinë gjinore ka në “themel shkatërrimin e familjes”.
“Barazia mes burrit dhe gruas është themeli ku bazohet familja ime. Këtë do ta mbroj deri në fund. Jam krenar që, duke nisur nga viti 2008, kam qenë bashkautor i futjes së kuotës gjinore në zgjedhje, duke e ndryshuar përfaqësimin gjinor”, u shpreh Bylykbashi.
“Refuzoj çdo lloj diskriminimi po aq sa refuzoj censurën e shprehjes së mendimit nëpërmjet censurës së lirisë së fjalës! Atdheu dhe Europa fillojnë te familja e gjithësecilit. Por dje unë votova kundër një ligji, i cili nën petkun e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit të grave, hapi portën për ideologji që shkatërrojnë në themel familjen”, shkruan Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit, dje në Kuvend, një pakicë i hoqi të drejtën e fjalës shumicës së shqiptarëve.
“Kisha vite që përgatitesha për atë debat që nuk e lejuan ta bënim dhe atë votim kundër, sepse atë që PS bëri dje, tentuan ta fusnin që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, por atëherë e ndalëm. Dje ishte shembulli se si një pakicë i hoqi të drejtën e fjalës shumicës së shqiptarëve për t’u përfaqësuar e zëri i tyre të dëgjohej në parlament”, tha Bylykbashi.
Deputeti demokrat theksoi se “shqiptarët duhet të kenë të drejtë të hyjnë në Evropë me familje të shëndoshë dhe pa asnjë diskriminim”.
Sipas tij “shqiptarët kanë të drejtë ta mbrojnë familjen në referendum, edhe pse ligji është bërë nga PS në vitin 2000 për të bllokuar referendumet”. “Rëndësi ka të dalë kush është shumicë në mbrojtje të familjes”, shkruan Bylykbashi.
