Gramoz Sako i premton kryeministrit: PS do të votohet bindshëm të dielën në Tepelenë

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Tepelenës, Gramoz Sako deklaroi sot se, PS do të ketë fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës.

Duke folur në podcast-in “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama, ku ishin edhe 4 kandidatët e tjerë të PS në bashkitë e Vlorës, Cërrikut, Matit dhe Beratit për zgjedhjet e të dielës, Sako u shpreh për pritshmëritë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

“Nga takimet që kemi zhvilluar në qytet, nga njerëzit që takojmë, investimet që ka bërë PS në gjithë mandatet që ka drejtuar Tepelenën mendoj që do të kemi një fitore të thellë ditën e diel. Do votohet bindshëm PS-ja”, u shpreh Sako.

“Këtë e mbështes tek opinionet, tek takimet që kemi bërë, tek të gjithë njerëzit që kemi takuar”, u shpreh ai.

“Jam shumë besimplotë që do të marrim rezultat shumë pozitiv”, tha Sako.

Sako vuri në dukje se për Tepelenën janë bërë shumë punë, teksa theksoi se janë evidentuar të gjitha shqetësimet e njerëzve.

“Kemi disa gjëra të vogla për të përfunduar. Jemi në mbështetje të agroturizmit”, tha ai.

Duke folur për Paketën e maleve, Sako u shpreh se janë rreth 73 aplikime.

“Kjo tregon që investimet do të vazhdojnë. Ne do i mbështesim, bashkia do të shkojë derë më derë për t’i qarë hallin kujtdo dhe për të ndihmuar bizneset që duan të investojnë aty”, theksoi ai.

I pyetur nga kryeministri sesa për qind të votave pret të marrë, Sako u shpreh se pret të fitojë me rreth 83% të votave.

Sako do të ketë përballë të dielën kandidatin e mbështetur nga opozita, Gabriel Guma.