Xhixho: 'Krim Shtetëror' në Onkologjik, pacientët trajtohen me barna të skaduara ndërsa miliona euro shkojnë për afera korruptive

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja Erisa Xhixho denoncoi situatën alarmante në Spitalin Onkologjik të Tiranës, duke e quajtur atë një "krim shtetëror".

Ajo theksoi se, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 26% e barnave tumorale të nevojshme nuk janë importuar, dhe pacientët trajtohen me barna të skaduara.

Xhixho kritikoi qeverinë për kushtet e papranueshme në spital, ku vetëm 19 poltrona janë në dispozicion të mbi 100 pacientëve, dhe për mungesën e pajisjeve themelore si brakiterapia dhe PET scan.

Fjala e Xhixhos:

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka bërë një skaner tronditës, duke nxjerrë në pah krimin shtetëror në spitalin onkologjik.

Shëndetësia shqiptare po shkruhet me shpresën e qytetarëve, ndërsa spitali onkologjik po digjet nga heshtja kriminale e një qeverie që ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie.

Në vit kemi 7 mijë raste të reja me kancer, dhe çdo ditë në spitalin onkologjik hyjnë mbi 100 pacientë, por kanë në dispozicion vetëm 19 poltrona për kimioterapi. Kosova ka 100 poltrona.

Pacientët që kërkojnë trajtim, gjejnë një spital të rrënuar, pajisje të prishura dhe një staf të rraskapitur që punon përtej çdo kufiri njerëzor.

Ky është realiteti i shëndetësisë falas, që propaganda e qeverisë tenton ta fshehë pas fasadave.

Sipas raportit të KLSH-së, 26% e barnave tumorale nuk janë importuar për periudhën 2021-2025, dhe pacientët trajtohen me barna të skaduara. Në vend që të sigurohen barna dhe pajisje, kemi kontrabandë dhe krim shtetëror.

Në spitalin onkologjik, pacientët janë të detyruar të kalojnë orë të tëra në karrige për të marrë kimioterapi, sepse shteti nuk është në gjendje t’u sigurojë kushte minimale trajtimi.

Në Shqipërinë e “pasaportës europiane” të kryeministrit, pacientët me kancer nuk kanë akses në teknologji të avancuar, si brakiterapi, PET scan, akseleratorë, mamografi, e ilaçe të nevojshme.

Shumë gra me kancer të avancuar janë të detyruara të ndërpresin trajtimin ose të shesin gjithçka për të blerë ilaçe jashtë vendit.

Por ka para për lëndë luksi dhe kontrata korruptive. 160 milionë euro shpenzohen për dy centrale të Tigrin 1 dhe 2, që nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji.

Po ashtu, 50 milionë euro janë vjedhur me tunelin e Llogarasë, ndërkohë që korrupsioni ka arritur kulmin me dy koncesione të hetuara, të cilave qeveria u ka shtuar 2.5 milionë euro më shumë. Ky shpërdorim është një tallje me jetën e qytetarëve.

Raporti i KLSH-së duhet të ishte një alarm për prokurorinë, por në vend të kësaj, fshihet dhe manipulohet. Në çdo vend europian, ky raport do të kishte sjellë dorëheqjen e ministrave dhe qeverisë.

Në Shqipëri, kjo nuk ndodh. Sipas raportit të Komisionit Europian, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi për shëndetin, 60% e qytetarëve paguajnë nga xhepi për shëndetësinë, dhe në vitin 2013 u premtua se do të shpenzoheshin 5% të PBB për shëndetësinë, por kjo mbeti një gënjeshtër.

Shëndetësia nuk duhet të jetë luks, por e drejtë kushtetuese dhe themelore për çdo qytetar.

Qeveria po vjedh qytetarët më të varfër në Europë, ku 55% nuk mbyllin dot muajin dhe 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime. Kjo është një sjellje kriminale.