GJENERALI DO MBROJË KOMANDANTIN! Wesley Clark, dy ditë dëshmi për Hashim Thaçin në Speciale

Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, do të dëshmojë për dy ditë në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit, në procesin kundër ish krerëve të UCK.  Dëshmia e gjeneralit amerikan të NATOS për komandatin e do të nisë më 18 nëntor

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, do të dëshmojë për dy ditë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përballë akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit zyrtar, dëshmia do të nisë më 18 nëntor pasdite dhe do të vazhdojë më 21 nëntor, pas miratimit të kërkesës së mbrojtjes për një ditë shtesë. Gjykata ka sqaruar se kjo shtesë synon të garantojë që dëshmia të përfundojë “në mënyrë të shpejtë dhe efektive”.

Ndërkohë, është bërë e ditur se seanca e 10 nëntorit do të zhvillohet nga ora 14:00 deri në 17:00, ndërsa gjatë kësaj jave nuk do të ketë seanca, për shkak të shtyrjes së dëshmive të diplomatëve amerikanë, përfshirë ambasadorin Christopher Hill, që pritet të dëshmojë javën e ardhshme.

Data 5 nëntor shënoi gjithashtu pesë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët vijojnë të mbahen në paraburgim në Hagë.

Ata dyshohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës, midis viteve 1998–1999.

Më 5 nëntor 2020, Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës për t’u përballur me akuzat, ndërsa një ditë më pas bashkëluftëtarët e tij u dorëzuan vullnetarisht në Gjykatën Speciale.