Dumani: Nuk ka të paprekshëm në Shqipëri! Mbi 300 mln euro pasuri të sekuestruara nga 2020-a! Pastrimi i parave në ndërtim? S'kemi referenca nga Tatimet, Doganat dhe Policia

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke bërë bilancin e tre viteve në drejtimin e këtij institucioni, theksoi se SPAK ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm në Shqipëri.

“SPAK, që nga krijimi i tij gjashtë vite më parë, ka treguar se ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit që ata kanë, politik, publik apo fuqisë financiare që mbartin”, tha Dumani, gjatë një interviste për RTSH.

Sipas Dumanit, këto vite kanë vërtetuar që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti.

“Tani vendime të para të formës së prerë kanë ardhur. Kemi zyrtarë shumë të lartë, të lartë që janë dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave”, tha Dumani.

Dumani tha se mandati tre vjeçar si drejtues i SPAK është një kohë e shkurtër.

“Për mendimin tim është e drejtë që Kushtetuta përcakton se nuk duhet të ketë rizgjedhje. Por do të kisha dëshirë që mandati të ishte 4 ose 5 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhje. Mandati 3-vjeçar është një kohë shumë e shkurtër. Mandati më i gjatë jep më shumë mundësi të zbatohet vizioni dhe objektivat”, u shpreh Dumani.

Sa i përket prioriteteve në hetime, kreu i SPAK theksoi se “ne nuk i ndajmë hetimet sipas përkatësisë politike dhe funksioneve publike, por për ne është e rëndësishme prova. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme prova dhe jo emri”.

Dumani theksoi se veprimet e SPAK janë jashtë axhendave politike. “Nuk komentoj deklaratat politike. Ne nuk kemi axhendë politike, por bazohemi në prova,” u shpreh ai.

PASTRIMI I PARAVE

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani bëri të ditur se vlera e pasurive të krijuara përmes pastrimit të parave që janë konfiskuar dhe sekuestruar arrin mbi 300 milionë euro.

Dumani theksoi se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.

“Sa i takon pastrimit të parave, Prokuroria e Posaçme ka rritur numrin e procedimeve penale të regjistruam numrin e të pandehurve, të gjykuarve, ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara. Që nga viti 2020 deri në vitin 2024 vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, ishte 230 milionë euro, sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro. Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh dhe sekuestrimesh si SPAK. Në hetimet tona e kemi bërë prezent që po kemi konstatuar që paratë e pista janë investuar në turizëm”, theksoi Dumani gjatë një interviste për RTSH.

Ndër të tjera, Dumani hodhi poshtë me pretendimet për kërcënime ndaj prokurorit i cili po ndjek çështjen për ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Ai shtoi se prokurori Dritan Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të”, tha Dumani.

Sipas Dumanit, pavarësia e prokurorëve të posaçëm si nga drejtuesit e prokurorisë, ashtu edhe nga faktorët e jashtëm, është gjëja më e mirë që ka ndodhur për prokurorinë.

“Vlerësoj se duhet ruajtur kjo pavarësi ndaj institucionit të prokurorisë. Aktualisht kjo pavarësi është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga ligjet e tjera. Të ruhet, pasi kontribuon në pasjen e ndjekjes penale, si dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo pavarësi shoqërohet edhe me llogaridhënie”, tha ai.

Kreu i SPAK theksoi më tej se ka një rënie të ndjeshme të referimeve nga Policia e Shtetit.

“Kam konstatuar një realitet, që ka të bëjë me rënien e numrit të referimit nga Policia e Shtetit, me 40%, dhe kjo është pasqyruar edhe në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend.

Policia e Shtetit është një institucion që ka të paktën mbi 10 mijë punonjës të cilët janë në terren, në kontakt me qytetarët dhe mund të rrisnin numrin e kallëzimeve në Prokurorinë e Posaçme”, theksoi Dumani.