Muçaj: Ndryshimet në Kodin Rrugor, për harmonizimin e legjislacionit me BE-në
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh sot se ndryshimet dhe shtesat në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, synojnë harmonizimin e legjislacionit me direktivën e Këshillit të Bashkimit Evropian 96/53/BE, që përcakton përmasat dhe peshat maksimale të mjeteve që qarkullojnë në trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sipas zv.ministres, ndryshimet ligjore do të ndihmojnë në përputhshmërinë e plotë të standardeve shqiptare me ato të vendeve të BE-së, duke garantuar një konkurrencë më të ndershme për operatorët e transportit, siguri më të lartë rrugore dhe ulje të ndotjes mjedisore.
Muçaj bëri të ditur se projektligji parashikon edhe ndryshime në aktet nënligjore, përfshirë rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor, për të reflektuar plotësisht kërkesat e direktivës evropiane.
Duke ftuar deputetët të miratojnë projektligjin në fjalë, zv.ministrja theksoi se “miratimi i tij është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadrin e kapitullit 14 – Politikat e Transportit”.
Muçaj deklaroi se Shqipëria ka ende 108 akte ligjore për t’u përafruar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian në kuadër të kapitullit 14, politikat e transportit.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, për ndryshime të tjera të pritshme në Kodin Rrugor, Muçaj theksoi se ndryshimet teknologjike në mjetet rrugore do të jenë një pjesë thelbësore e reformës së re, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sigurisë rrugore.
“Sipas planit të përafrimit me BE-në, të gjitha ndryshimet ligjore në fushën e transportit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2026” u shpreh ajo.
Ndërkohë, në përgjigje të pyetjes së deputetit Erald Kapri mbi kostot që bizneset do të përballojnë për përshtatjen me risitë teknologjike, Muçaj sqaroi se Strategjia Kombëtare Rrugore ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit dhe do të përfshijë një plan veprimi të detajuar me buxhete përkatëse.
“Kjo strategji do të jetë një dokument i ri, që parashikon zbatimin e direktivave të BE-së dhe kushteve të sigurisë rrugore në perspektivën e anëtarësimit. Rrjeti ynë rrugor duhet t’i përgjigjet standardeve ndërkombëtare” tha ajo.
Muçaj shtoi se zbatimi i ligjit mbetet thelbësor.
“Mund të kemi një legjislacion të shkëlqyer në letër, por nëse organet ligjzbatuese nuk e zbatojnë në praktikë, do të kemi probleme serioze. Askush që mendon se mund të ngarkojë një tonazh më të madh se ai i lejuar duhet ta dijë se kjo është një kosto për infrastrukturën, sigurinë rrugore dhe mjedisin. Është një kosto legjitime që bizneset duhet ta mbajnë për të garantuar konkurrencë të ndershme”, shtoi Muçaj.
Në përfundim, zv.ministrja theksoi se elementet teknologjikë të matjes në kohë reale të peshave dhe tonazheve do të jenë pjesë e domosdoshme e sistemit të ri, me ndikim të drejtpërdrejtë në efikasitetin dhe sigurinë e transportit rrugor.
