3 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbrin në historinë e botës, përmes qëndresës ndaj një prej perandorive më të frikshme të kohës

Më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u rikthye në atdhe, në një prej kthesave më madhore të historisë shqiptare.

Kjo ditë shënoi fillimin e një epoke të re, ku qendresës së hershme kundër Perandorisë Osmane iu dha udhë një kapitull i panjohur më parë, i ngritur mbi vizionin, vendosmërinë dhe urtësinë strategjike të një burri shteti që u bë simbol i lirisë dhe i bashkimit.

Skënderbeu, duke lënë fushëbetejën e Nishit, u shkëput nga radhët osmane dhe mori udhën drejt Krujës me 300 kalorës besnikë, në një marshim që historia do ta kujtonte jo thjesht si një veprim politik, por si një akt të lartë guximi dhe vetëdijeje kombëtare.

Me të mbërritur në qytetin e tij të trashëguar, ai mori në dorë administrimin e Krujës dhe ringjalli Principatën e Kastriotëve, duke i dhënë asaj forcën dhe prestigjin e dikurshëm.

Më 28 nëntor 1443, para një turme të trazuar nga emocionet dhe shpresa, Skënderbeu ngriti flamurin kuq e zi mbi kështjellën e Krujës, herën e parë në histori që ky simbol u shfaq si shenjë e një shteti shqiptar.

Në atë moment, sipas Marin Barletit në “Historinë e Skëndebeut”, ai u drejtoi bashkëvendësve fjalët që mbetën testament i lirisë për shekuj me radhë: “Lirinë nuk jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj.”

Ky pohim madhështor nuk ishte vetëm një deklaratë politike, por një frymëzues i ndjenjës së identitetit dhe vetëbesimit kolektiv.

Që prej atij viti e deri në fund të jetës së tij, Skënderbeu qëndroi i pathyeshëm në krye të një lufte 25-vjeçare kundër osmanëve, duke e kthyer Shqipërinë e vogël në një fortesë jo vetëm ushtarake, por edhe morale të Evropës së kohës.

Betejat e tij u dëgjuan në kancelaritë më të mëdha të kontinentit, ndërsa figura e tij u bë urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Perëndimit të krishterë dhe të qytetëruar.

Emri i Gjergj Kastrioti Skënderbeut mbetet sot e gjithmonë një prej përfaqësuesve më të nderuar të shqiptarëve në historiografinë botërore, një figurë që mishëron rezistencën, urtësinë dhe identitetin europian të popullit tonë.

Ai nuk ishte vetëm një strateg i pakrahasueshëm, por një udhëheqës që e kuptoi lirinë si vlerë të brendshme të njerëzve të tij dhe si themel të çdo shteti të denjë.