Ismajli: Jemi gati të japim gjithçka në derbin ndaj Juventusit

Torino barazoi 2-2 ndaj Pisës në një ndeshje të luftuar të Serie A, ku mbrojtësi shqiptar Ardjan Ismajli ka folur për mediat.

“Pjesa e parë ishte argëtuese për tifozët, por jo për ne,” – tha Ismajli. “Luajtëm keq për rreth 30 minuta dhe pësuam dy gola që mund t’i kishim shmangur. Gjithsesi, ishte e rëndësishme të reagonim dhe e bëmë – arritëm të barazonim dhe në fund e kishim ndeshjen në kontroll. Serie A nuk është e lehtë, por tani duhet të shmangim gabimet.”

Duke analizuar golin e parë të pësuar, ai shtoi: “Pësuam shumë kundërsulme dhe unë vetë bëra një gabim që çoi në gol. Falënderoj tifozët që na mbështetën edhe kur ishim në disavantazh 0-2. Reaguam si skuadër dhe tani shikojmë përpara.”

Në fokusin e Torinos tashmë është derbi i qytetit ndaj Juventusit, që do të zhvillohet të shtunën.

“Për mua është derbi i parë,”  tha mbrojtësi kuqezi. “Do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë. E dimë çfarë do të thotë ky takim për tifozët, dhe jemi gati të japim gjithçka. Ata do të na mbështesin fuqishëm, dhe shpresojmë t’u dhurojmë një rezultat pozitiv.”