Elbasani “fundos” Flamurtarin dhe merr kryesimin, nuk ka gola në Dinamo-Teuta

Elbasani triumfoi minimalisht ndaj Flamurtarit në transfertë, në ndeshjen e javës së 10-të në Superiore.

Në një atmosferë elektrizuese dhe me tension, verdheblutë ia dolën të marrin 3 pikë të rëndësishme, të cila i dërgojnë përkohësisht në vendin e parë të renditjes.

Pjesa e parë ishte e qetë dhe nuk prodhoi gola. Për tu shënuar ishin vetëm dy raste, Ramirez për Flamurtarin në fillim dhe Diallo për Elbasanin.

Pjesa e dytë ishte histori tjetër. Një krosim nga goditja e këndit, gjeti sulmuesin Lajthia në zonë, i cili me kokë e dërgoi topin në fundin e rrjetës.

Ky gol i dha avantazhin Elbasanit, ndërsa Flamurtari iu afrua disa herë barazimit. Janaçek, me disa pritje vendimtare, ia doli ta mbajë portën e paprekur.

Rasti më i diskutueshëm ishte në minutën e 84-t, kur fillimisht u akordua penallti për Flamurtarin, por u anulua pas rishikimit në VAR.

Me këtë fitore, Elbasani mban kryesimin me 20 pikë, në pritje të ndeshjes Egnatia-Vllaznia, ndërsa Flamurtari renditet i fundit me pesë pikë.

Në duelin tjetër, mes Dinamos dhe Teutës u ndanë pikët. Pavarësisht rasteve nga të dyja krahët, portat mbetën të paprekura. Vlen të përmendet, se kryeqytetasit luajtën me 10 lojtarë nga minuta e 62-të, kur Maliqi u ndëshkua me karton të kuq.

Dinamo mban vendin e tretë në renditje me 18 pikë, tre pikë më shumë se Teuta e vendit të pestë.