Guardiola, çfarë vlerësimi për Haaland: Statistikisht është në nivelin e Messit dhe Ronaldos
Është i papërmbajtshëm. E tregoi edhe një herë tjetër në fushën e “Etihad Stadium”. Erling Haaland ishte vendimtar në fitoren e Manchester City-t ndaj Bournemouth-it, duke u konfirmuar si ‘arma vdekjeprurëse’ e Pep Guardiolës.
Edhe trajneri kundërshtar, Andoni Iraola, pranoi se ta ndalosh atë është praktikisht e pamundur.
Vetëm 25 vjeç, sulmuesi norvegjez ka shënuar tashmë 322 gola mes klubeve dhe Kombëtares: shifra që e vendosin mes elitës së sulmuesve më të mëdhenj.
“A i patë statistikat e tij? Sigurisht që është në nivelin e Messit dhe Ronaldos!”, deklaroi Guardiola në konferencë për shtyp.
“Diferenca është se ata e kanë bërë këtë për pesëmbëdhjetë vite, por Erling është në të njëjtën rrugë. Mënyra si goditi në golin e parë… ai e dinte paraprakisht që do të shënonte.
Ka uri, ka mentalitet fitues. Të punosh me të është privilegj.”
Trajneri katalanas megjithatë theksoi se skuadra duhet të gjejë më shumë alternativa në sulm: “Duhet të bëjmë në mënyrë që të shënojnë edhe të tjerët, por me Haaland gjithçka bëhet më e thjeshtë.”
Guardiola vlerësoi edhe Rayan Cherki, autor i dy asistimeve: “Ka talent, vizion dhe guxim.
Po përshtatet mirë në Premier League.”
Në aspektin taktik, trajneri vuri në dukje stabilitetin që skuadra e tij tregoi kundër një Bournemouth-it “shumë agresiv dhe të rrezikshëm në tranzicion.”
Me këtë sukses, City mbetet plotësisht në garë për titull.
“Mungojnë ende 28 ndeshje, por skuadra po rritet. Nëse vazhdojmë kështu, mund të synojmë gjithçka”, përfundoi Guardiola me besim.
