Raportuesi i PE-së, Andreas Schieder del në konferencë pas takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder u bëri thirrje sot palëve politike në Shqipëri që pavarësisht diferencave politike të punojnë bashkë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Europës, Schieder ndau mesazhin e tij për politikanët shqiptarë.

“Kam një mesazh për miqtë e mi politikanë. Jam politikan vetë dhe e kuptoj shumë mirë se çfarë do të thotë që secili të përpiqet që ta bëjë të qartë pozicionin e vet, të bëjë diferencën me kundërshtarët politikë. Por është e rëndësishme që çdo palë që është pro zgjerimit të punojë për këtë qëllim”, shtoi Schieder.

Schieder theksoi se duhet të punojnë bashkë, të zbatojnë ligjet europiane sa më shumë të jetë e mundur, pavarësisht diferencave mes partive të ndryshme.

“Dihet që secila parti ka ideologjinë e sajë, përfaqëson grupe të caktuara, por është e rëndësishme që nëse duan integrimin në BE të punojmë për të njëjtin qëllim”, shtoi ai.

Duke iu referuar takimit të fundit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Schieder theksoi se në atë takim kishte shumë diferenca mes palëve.

“U morën për një kohë kaq të gjatë për të shpjeguar se çfarë nuk shkon mirë, se pse partia X bën këtë apo atë gabim. Kjo është e rëndësishme për politikën, por jo për këto takime mes Parlamentit Europian dhe parlamentit shqiptar, sepse ne duam të diskutojmë zgjerimin”, tha ai.

Ndaj apeli i Schieder për politikanët shqiptarë është që të punojnë së bashku.

“Mazhoranca duhet të ftojë opozitën, të dëgjojë se çfarë ata duan dhe të jetë e hapur, ashtu siç duhet, që edhe opozita të jetë e gatshme të marrë pjesë. Ka ligje të rëndësishme si Reforma Zgjedhore për të cilat e mira do të ishte që të gjendej një konsensus i gjerë”, shtoi ai.

NEGOCIATAT DHE INTEGRIMI

Schieder bëri të ditur se në nëntor pritet të hapet kapitulli i fundit i negociatave me BE-në, që do të thotë që Shqipëria do të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt.

“Kjo do të thotë që viti 2026 do të jetë viti që kapitujt mbyllen njëri pas tjetrit. Është një proces shumë strikt. Komisioni Europian bën vlerësimin dhe Këshilli dhe Parlamenti Europian bën miratimin. Ne shikojmë nëse janë përmbushur kushtet apo jo”, tha ai.

Schieder shprehu besimin se shumica e kapitujve do të mbyllen vitin e ardhshëm dhe në vitin 2027 do të jenë mbyllur tërësisht.

Por sipas tij, është akoma më e rëndësishme që të zbatohen ligjet. “Mundësitë janë aty nëse bëhen gjërat që duhen bërë. Shqipëria është një nga vendet në mes të Europës, turizmi tregon se shumë qytetarë të BE-së vijnë e shikojnë si është jeta në Shqipëri, sa moderne është Shqipëria, ndaj them se ka mundësi”, shtoi ai.

Schieder theksoi se për t’u futur në sistemin europian, sfidat me të cilat përballet vendi  përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të pasurit e një sistemi gjyqësor profesional.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi se procesi po bëhet gjithmonë e më mirë dhe duket që Shqipëria po e merr shumë seriozisht këtë proces duke hetuar në mënyrë të thelluar këdo, pavarësisht nëse i përket qeverisë, opozitës apo janë biznesmenë.

“Kjo krijon shumë diskutime politike, por standardet europiane do të thonë që sistemi gjyqësor të jetë për prokurorët, gjyqtarët, juristët jo politikanët. Politika nuk lejohet të hyjë në këtë proces”, shtoi Schieder.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, Schieder tha se austriakët hyjnë te 5 vendet më skeptike për zgjerimin por është detyra e politikanëve t’u shpjegojë mundësitë që paraqet zgjerimi.

Lidhur me Shqipërinë, Schieder tha se vendi është në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojë të eci në atë rrugë duke zbatuar reformat dhe duke i shkuar gjërave deri në fund.

DREJTESIA

Schieder deklaroi sot se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është një institucion edhe më i pavarur sesa institucionet homologe në Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp, nga Shtëpia e Evropës, Schieder foli për Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK, ndërsa theksoi se Shqipëria ka zgjedhur mënyrën më radikale për ta bërë këtë reformë.

“Kam ndjekur procesin e Vetting-ut nga fillimi nga media dhe Parlamenti Europian. Duke qenë se shohim edhe vendet e tjera që kanë zgjedhur mënyra të tjera për ta bërë Reformën në Drejtësi, Shqipëria ka zgjedhur mënyrën më radikale për modernizimin e  sistemit gjyqësor përmes procesit të vetting-ut. Që do të thotë, të kontrollosh gjithkënd nëse janë apo jo në përputhje me kushtet teknike të formimit profesional etj.”, shtoi ai.

Schieder theksoi se ky është një proces shumë i matshëm dhe radikal, që ka kushtuar, pasi u shtua radha e çështjeve që duheshin trajtuar.

Por, sipas tij, tani Shqipëria është në momentin kur ka të rinj që hyjnë në sistem dhe tani duket rezultati i reformës.

Duke folur për SPAK, Schieder theksoi se ai është një institucion komplet i pavarur.

“Është më i pavarur se të gjitha këto institucionet e tjera të ngjashme me vendet e BE-së. Ka një nivel të lartë pavarësie. Sigurisht që kjo shkakton shumë diskutime. Varet edhe nga kush preket nga çështjet me të cilat merret SPAK. Kam dëgjuar shumë kritika ndaj SPAK-ut. Kam dëgjuar kritika nga disa që janë edhe nën hetim nga SPAK, që e kritikojnë SPAK që nuk e kupton se duhet të hetojë më shumë persona nga partitë e tjera”, shtoi Schieder.

Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se “politikanët nuk duhet të gjykojnë çështjet, pasi  prandaj kemi ekspertë, prokurorë e gjyqtarë, prandaj kemi SPAK-un”.

“Duhet t’ua lëmë atyre të bëjnë punën dhe duket se puna po vazhdon. Sigurisht SPAK nuk mjafton. Çështjet duhet të shkojnë në gjykatë dhe ajo vendos, por duhet të shohim se puna e SPAK ka një impakt, ka efekte, sepse tashmë është shumë e qartë se kushdo mund të procedohet. Nuk ka rëndësi nëse je politikan, biznesmen, qeveritar apo gazetar. SPAK mund të të procedojë dhe e mira është që të mos procedohesh. Për këtë nuk duhet të kryesh asnjë lloj akti kriminal apo penal”, shtoi Schieder.