Balla opozitës: Nuk ka propozim më të dobët që nga 2002 se sa ky që keni bërë ju për Komisionin Hetimor “McGonigal”!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, “thumboi” opozitën nga salla e Kuvendit ditën e sotme teksa bëheshin debate të ashpra për kërkesën e ngritjes së Komisionit Hetimor “McGonigal”, duke thënë se ky ishte prezantimi dhe kërkesa më e dobët e bërë ndonjëherë në 23 vitet e fundit në Parlament.
Ai u shpreh kundër si mazhorancë ndaj kësaj kërkese, duke e cilësuar jo të duhur apo të përshtatshme sipas rregullores dhe ligjit. Balla tha se mazhorancës iu desh që për opozitën u desh të shkelnin edhe rendin e ditës për të kaluar më herët diskutimin për 2 kërkesat e opozitës për Komisione hetimore.
“Me dakordësi kemi shkelur me dashje rregulloren dhe rendin e ditës për këto dy pika që kërkuat ju. Po me dakordësi me zotin Këlliçi vendosën që të kishte një diskutant nga një palë dhe një nga pala tjetër. Kemi bërë një përjashtim sot në emër të dialogut parlamentar. Unë nuk e shkel asnjëherë fjalën time. Të kalojmë te tema tjetër (pas asaj McGonigal), t’i jepet fjala 10 minuta diskutantit përkatës nga një palë dhe tjetra për ta kaluar në shqyrtim më tej”, tha deputeti socialist.
Ai kritikoi PD-në për formulimin e dobët të kërkesës për Komision Hetimor, duke kërkuar të kalonin në çështjen tjetër.
“Përsa i përket diskutimeve te Konferenca e Kryetarëve, diskutimet aty janë se ça është thënë. Përsa i përket kërkesës hetimore, prezantim më të dobët, në këto 23 vite, nga 2002-shi, kur janë miratuar Komisionet Hetimore në këtë Kuvend, pra në këto 23 vjet, kërkesa më e dobët për Komision hetimor është bërë sot në këtë seancë. Ndaj kërkoj t’i qëndrojmë procedurës dhe të kalojmë në çështjen tjetër”, u shpreh Balla.
Opozita kërkon ngritjen e dy Komisioneve Parlamentare:
-Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”.
-Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
