Topalli: Reforma në drejtësi ka dështuar, vite pa Gjykatë Kushtetuese, të Lartë dhe me vakanca kudo, shteti në koma!
Ish-kryetarja e Parlamentit, deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, tha nga foltorja e Parlamentit ditën e sotme se shteti është në koma, ku gjyqtari vritet në sallën e gjyqit, ku institucionet e drejtësisë janë të gjitha me vakanca deri në 33%, ku vendi ka qëndruar për vite me radhë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe ku përfundimisht reforma në drejtësi ka dështuar.
“Nëse në një zyrë gjykate mungon gjykatësi, aty ligji vdes, nëse në një zyrë mungon prokurori aty krimi jeton. Nëse në një vendim gjyqësor ne duhet që ta marrim pas 16 vitesh, kjo ka të bëjë koha dhe ndikimi i tij në vënie e drejtësisë”, tha Topalli.
Ligjvënësja demokrate nënvizoi se qytetarët e kanë humbur tashmë besimin te drejtësia, 10 vite pas nisjes së reformës, ku është pranuar dështimi.
“Ndodh dhe ka që edhe reformat dështojnë. Kur reformat dështojnë në drejtësi, sigurisht që kjo është shumë e rrezikshme se dështimi i çdo reforme i çdo rreziku. Kur pushteti refuzon dështimin e reformës atëherë ne kemi përballje me një alarm të madh që quhet shtet. Pas 10 viteve ne përballemi me një situatë, që nuk ka lidhje çfarë lexohet në letra. As me ato raportet sa po dëgjuam”, vijoi ajo.
Dhe në fund kujtoi se edhe institucionet më të larta të drejtësisë e kanë vuajtur këtë pasojë dështimi dhe se “shteti është në koma”.
“Pas 10 viteve ne kemi përjetuar 5 vite pa Gjykatë Kushtetuese, por kemi jetuar me një sistem shtet arbitrar. Në këto vite kemi jetuar me mungesën e gjykatës së lartë. Do të thotë se ne kemi pasur një shtet në koma. Përgjatë periudhe ne përballemi, në gjykata dhe prokurori që mbi 33% ka vakanca dhe janë të paplota”, kujtoi Topalli.
