Kodi i ri penal, brenda 2026/ Lamallari: Konsultime me të gjithë aktorët, miratim edhe nga BE

Në seancën e dytë të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari deklaroi se ka pasur konsultime me të gjithë aktorët dhe se pritet që kodi i ri penal të jetë gati brenda 2026. Lamallari po ashtu nënvizoi se miratimi vjen edhe pas një konsulte të plotë dhe me dritën jeshile të Komisionit Europian.

“Kam patur diskutim me bizneset, më 5 nëntor me krerët e drejtësisë, po kemi një avancim, brenda vitit të ardhshëm synojmë të kemi një draft të plotë, sigurisht miratimi vjen pas një konsulte të plotë dhe me dritën jeshile të Komisionit Europian”, tha Lamallari.

Ndërsa duke iu referuar raportimit të Kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në seancën e sotme, por edhe në seancën e së hënës, kur raportuan Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe kryetari i KLGJ, Lamallari tha se, “drejtësia fillon në radhë të parë nga respekti që ne tregojmë ndaj atyre që ne ftojmë këtu dhe i dëgjojmë”.