GAZA/ Të paktën 50 viktima nga sulmet e fundit izraelite

Mbrojtja Civile njoftoi sot vdekjen e të paktën 50 palestinezëve në sulmet e kryera nga Izraeli, pas një sulmi fatal të Hamasit ndaj njërit prej ushtarëve të tij.

“Të paktën 50 persona u vranë pas këtyre sulmeve, përfshirë 22 fëmijë dhe disa gra”, tha Mahmoud Bassal, një zëdhënës i Mbrojtjes Civile.

“Rreth 200 persona u plagosën në atë që përbën një shkelje të qartë dhe flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”, shtoi ai.

Më parë, presidenti amerikan kishte pohuar se sulmet nuk e rrezikonin armëpushimin e ndërmjetësuar prej tij midis Izraelit dhe Hamasit, në fuqi që nga 10 tetori, dhe se Izraeli kishte detyrë të hakmerrej per sulmin ndaj njërit prej ushtarëve të tij.

“Ata vranë një ushtar izraelit. Pra, izraelitët po hakmerren. Dhe ata duhet të hakmerren”, deklaroi presidenti amerikan në bordin e ”Air Force One”.

“Asgjë nuk do ta kompromentoje armëpushimin”, siguroi ai.

Ushtria izraelite më vonë konfirmoi se një ushtar, Yona Efraim Feldbaum, 37 vjeç, u vra të martën në Rripin e Gazës.

Sipas një burimi ushtarak, incidenti ndodhi në zonën e Rafah (Gaza jugore), ku ushtria izraelite po vepron për të çmontuar infrastrukturën dhe tunelet e lëvizjes islamiste që kanë mbetur në lindje të Vijës së Verdhë.

Kjo vijë shënon zonën përtej së cilës ushtria izraelite u tërhoq si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, duke pretenduar se tani kontrollon afërsisht gjysmën e territorit palestinez.

Ky episod i fundit i dhunës është i dyti pas sulmeve të 19 tetorit, të cilat Izraeli pretendon se u kryen pas një sulmi ndaj ushtarëve të tij.