Noka: Raporti i OSBE/ODIHR konstatoi se qeveria ndërhyri në zgjedhjet e 11 majit! U kërcënua deputetja e PD-së dhe SPAK nuk hetoi
Deputeti i partisë Demokratike, Flamur Noka, tha sot në Kuvend se nuk priste përgjigje të tjera nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke vënë në dukje se raporti i OSBE/ODIHR faktoi ndikimin e shtetit në zgjedhje dhe qeverisë me vendime si bonusi i pensioneve dhe falja e gjobave para 11 majit.
Por sipas tij, për SPAK-un këto nuk ishin vepra penale. Madje ai iu rikthye edhe çështjes së kërcënimit të deputetes Albana Vokshi ditën e zgjedhjeve, që organi i posaçëm i akuzës nuk e hetoi.
“Pyetjet u bënë për qytetarët, nuk prisnim përgjigje, sepse i dinim. OSBE/ODIHR konstatoi se u shkel hapur ligji për VKM-në e famshme që miratoi kryeministri dy ditë para zgjedhjeve për bonusin e 700 mijë pensionistëve dhe faljen e gjobave. OSBE/ODIHR që nuk është organ ligjzbatues e konstaton këtë shkelje ligji, kurse Altin Dumani jo. Për Dumanin nuk ka shkelje ligji, a ka gjë më të rëndë se kjo. Patronazhistët që shpërndanin thasë me para, që bënin favore e ndere në këmbim të votës në çdo qark, i dimë, kudo, i kemi nxjerrë, unë e kryetari i PD, video me legalizime e hipoteka. Por nuk ka krim, pse? Sepse është partia mbi të gjitha. Prit re, unë sa fillova, prit!”, tha deputeti demokrat mes të tjerash.
Kurse për incidentin e Vorës gjatë zgjedhjeve ai tha: “Për Dumanin, kur kërcënohet deputetja me rrëmbim vajze, nuk është vepër e SPAK, por po të ishte deputetja që kërcënonte banditin, do ishte vepër e SPAK-ut. E kuptoni apo jo?”.
Noka deklaroi se prokuroria mjaftonte të pyeste partnerët e saj ndërkombëtarë për të zbuluar se kush ishin Xhabaftët e Vorës. Por sipas ligjvënësit, SPAK-un nuk e lë Rama që të hetojë.
“Ja pra, kjo është e gjitha. Si mundet të vijë kryetari i SPAK këtu e të thotë se nuk i njoh. Të pyesë partnerët e tij në Angli dhe Itali, të shkojë në Vorë, është kartel dhe organizatë kriminale, është një më lart. Por nuk i lejon Rama që të thotë se është organizatë kriminale, as për Xhabaftët, as për Çelët, as për Troplinët. E dimë, as e kam menduar ndonjëherë. 17 vendime në një ditë edhe roja e di që vetëm kryeministri ka fuqi, po për Dumanin nuk ekzistojnë ato. Për shqiptarët ja, e themi, është prokuror politik”, përfundoi Noka.
