Raporti i OSBE/ODIHR-it, Blushi: Zgjedhjet kanë rënë. Të ngrihemi kundër Narkoregjimit
DEKLARATA E DEPUTETIT TEDI BLUSHI
Raporti i OSBE-ODIHR ka vulosur përfundimisht farsën elektorale të 11 majit, duke konfirmuar me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme qëndrimet e drejta të Partisë së Lirisë dhe të gjithë opozitës shqiptare se këto zgjedhje nuk ishin as të barabarta, as lira, as të ndershme dhe as të fshehta.
Konfirmimi në raport se zgjedhet ishin të pabarabarta do të thotë se këto zgjedhje kanë rënë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë qartë se procesi zgjedhor nuk i përmbushi standardet demokratike të përcaktuara nëKartën e Kopenhagenit, duke ekspozuar në mënyrë të hapur abuzimet dhe manipulimet e kryeministrit Edi Rama. Përmes përdorimit masiv të aseteve publike për qëllime elektorale, bashkëpunimit me elementë kriminalë dhe sistemit të paligjshëm të patronazhistëve, Rama jo vetëm që forcoi avantazhin e padrejtë të partisë në pushtet dhe fshiu çdo kufi mes shtetit e partisë, por u damkos ndërkombëtarisht si armik i votës së lirë dhe i së ardhmes europiane të shqiptarëve.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok, raporti thekson se krimi i organizuar dhe patronazhistët e jashtëligjshëm ushtruan presion, shantazh dhe kërcënim ndaj qytetarëve për të blerë vota, duke vendosur Edi Ramën në qendër të akuzës për shembjen e standardeve demokratike të zgjedhjeve.
Një nga konstatimet më tronditëse të OSBE-ODIHR është përndjekja dhe burgosja e liderëve të opozitës për motive politike. Raporti sjell në vëmendje masën e arrestit shtëpiak ndaj liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe arrestimin e padrejtë të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në tetor të vitit të kaluar, një fakt që trondit themelet e çdo demokracie funksionale.
Përndjekja e opozitës për arsye politike është plagë e rëndë për liritë qytetare dhe goditje fatale për demokracinë. Raporti dokumenton gjithashtu frikësimin e zgjedhësve, kërcënimin e opozitarëve, manipulimin me votat e emigrantëve, kapjen e mediave dhe rolin aktiv të elementëve kriminalë në procesin elektoral, një panoramë që dëshmon qartë se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan nën terror politik e kriminal.
Veçanërisht alarmues është fakti i ekzistencës së sistemit të patronazhistëve, një mekanizëm i paligjshëm survejimi dhe kontrolli politik mbi qytetarët, që shkel çdo standard ndërkombëtar dhe dëshmon ngritjen e një rrjeti sistematik frikësimi e manipulimi të votës. Ky është thelbi i asaj që raporti e përshkruan si deformim të plotë të procesit demokratik nga “narkoregjimi” i Edi Ramës.
As dita e votimit, që propaganda qeveritare u përpoq ta paraqiste si “të qetë”, nuk i shpëtoi shkeljeve masive. OSBE/ODIHR dokumenton përdorimin e strukturave shtetërore për qëllime elektorale, ndërhyrjet direkte të pushtetit lokal dhe parregullsitë që e zhveshin procesin nga çdo legjitimitet demokratik.
Ky raport është dëshmi e qartë dhe e padiskutueshme se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë politike dhe se mazhoranca aktuale ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik. Kuvendi që doli nga ky proces nuk përfaqëson vullnetin e lirë të shqiptarëve, por është produkt i një partie-shtet që ka kapur çdo institucion dhe ka përdorur burimet publike e krimin për të tjetërsuar votën dhe penguar rotacionin politik.
Është tashmë e qartë se me një regjim që është armik i votës së lirë, Shqipëria nuk mund të ecë drejt integrimit europian.
Partia e Lirisë, si mbrojtëse e palëkundur e vlerave të lirisë, demokracisë, pluralizmit politik dhe e integrimit në Bashkimin Europian, mbetet më e vendosur se kurrë në misionin e saj për rikthimin e votës së lirë.
Ne i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm të ngrihet dhe të reagojë fuqishëm ndaj këtij Narkoregjimi që ka marrë peng vendin, ka kapur drejtësinë dhe përmes korrupsionit e bashkëpunimit me krimin e organizuar, po vret çdo ditë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

