Ulja e buxhetit për Arsimin dhe Shëndetësinë, Xhixho: Vendim i papërgjegjshëm
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson të papërgjegjshëm vendimin e qeverisë për uljen e buxhetit të arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë, sicc thotë Xhixho, kur vendi ka nevojë jetike për më shumë investime në dije dhe në kujdesin shëndetësor.
REAGIMI I XHIXHOS
I papërgjegjshëm vendimi i qeverisë për uljen e buxhetit të arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë kur vendi ka nevojë jetike për më shumë investime në dije dhe në kujdesin shëndetësor.
Vetëm për Ministrinë e Arsimit, fondet janë shkurtuar me 851 milionë lekë krahasuar me qershorin, dhe me 1 miliard lekë më pak se buxheti fillestar i vitit 2025 — rreth 10 milionë euro, ose 1.6% më pak për mësuesit, nxënësit dhe studentët shqiptarë.
Në vend që të përmirësojë kushtet në shkolla, qeveria po i shkurton fondet për të ardhmen e brezit të ri, ndërsa miliarda lekë shkojnë në koncesione për klientët e qeverisë. Qindra shkolla nuk kanë as ngrohje ndërsa dimri po afron; më shumë se gjysma nuk kanë internet, kur qeveria flet për laboratorë smart.
E njëjta situatë tragjike përsëritet në shëndetësi, ku mungesat dramatike në spitale, veçanërisht në Spitalin Onkologjik, e kanë kthyer dhimbjen e pacientëve në vuajtje pa mbarim. Mungojnë ilaçe bazike për trajtimin e sëmundjeve të rënda, aparaturat janë jashtë funksionit, dhe mjekët e infermierët punojnë në kushte të papranueshme, ndërsa qeveria mbyll sytë dhe ul fondet publike.
Kjo nuk është vetëm paaftësi qeverisëse, është shpërfillje e qytetarëve dhe abuzim monstruoz me paratë e tyre.
Asnjë vend nuk mund të ecë përpara duke shkatërruar themelet e tij: arsimin dhe shëndetësinë!

