Ndeshja Milan–Como, ndërhyn BE/ Unioni kritikon vendimin e UEFA-s për të lejuar zhvilluar ndeshjen në Australi

Polemikat për ndeshjen Milan–Como në Australi kanë mbërritur në Bruksel. Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, e ka cilësuar këtë lëvizje si kërcënim ndaj traditave dhe modelit evropian të futbollit, duke kërkuar që Serie A të rishqyrtojë projektin e saj jashtë kontinentit.

Vendimi për zhvillimin e ndeshjes mes Milanit dhe Comos në Australi ka shkaktuar polemika që tashmë kanë tejkaluar kufijtë e futbollit italian, duke arritur deri në institucionet e Bashkimit Evropian.

Komisioneri Evropian për Rininë, Kulturën dhe Sportin, Glenn Micallef, ka ndërhyrë publikisht duke kritikuar miratimin që UEFA i dha projektit të Serie A për zhvillimin e ndeshjes jashtë kontinentit.

Debati është ndezur pas vendimit të Ligës spanjolle për të anuluar takimin mes Barcelonës dhe Villarrealit në Miami, duke e rikthyer atë në Spanjë.

Ky veprim, sipas Micallef, përbën një “fitore për tifozët, lojtarët dhe traditat që e bëjnë futbollin evropian unik”. Ai ka theksuar se ky rast duhet të shërbejë si shembull edhe për Serie A, e cila planifikon të zhvillojë sfidën Milan–Como në Perth të Australisë në fundjavën e 7–8 shkurtit 2026.

“E mirëpres vendimin e Ligës spanjolle për të anuluar ndeshjen e Miamit. Kjo është një riafirmim i modelit sportiv evropian dhe i vlerave që ai përfaqëson,” ka shkruar Micallef në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se “është e rëndësishme të ruhet lidhja mes klubeve dhe komuniteteve të tyre” dhe bëri thirrje për “bashkëpunim midis ligave, klubeve dhe UEFA-s për të mbrojtur integritetin dhe konkurrencën e ndershme”.

Sipas burimeve të brendshme, vendimi përfundimtar i takon FIFA-s dhe Konfederatës Aziatike të Futbollit, të cilat ende nuk kanë dhënë miratimin përfundimtar për ndeshjen transoqeanike. Megjithatë, gjasat që Milan dhe Como të luajnë në Itali për javën e 24-t të kampionatit janë gjithnjë e më të vogla.