Cake: Moment historik për ne, objektivi ynë janë tri pikët

Të enjten në mbrëmje, në orën 18:45, në arenën “Todor Proeski” në Shkup, Shkëndija do të përballet me Shelbourne nga Republika e Irlandës, në ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Konferencës.

Pas disfatës në përballjen e parë ndaj Rayo Vallecano-s, kampionët e Maqedonisë së Veriut synojnë të marrin pikët e para në Evropë, në një duel që pritet të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë dhe me mbështetje të madhe nga tifozët.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, përveç trajnerit Jeton Beqiri, foli edhe Klisman Cake, një nga lojtarët kryesorë të skuadrës dhe anëtar i kombëtares shqiptare. Ai theksoi motivimin e lartë të ekipit dhe vendosmërinë për të fituar.

“Skuadra është shumë e motivuar për këtë ndeshje, është një moment historik për ne. E kemi pritur me padurim ndeshjen e parë evropiane në shtëpi.

Shpresojmë që publiku të jetë i pranishëm në numër të madh për të na mbështetur, sepse duam të bëjmë histori.

Do të hyjmë në fushë për tri pikët, sepse ky është qëllimi ynë.

Në Evropë duam të tregojmë fytyrën e vërtetë të Shkëndijës dhe të japim maksimumin për fitoren,” deklaroi Cake.

Shkëndija do të përpiqet të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas dhe energjinë e tifozëve të saj për të siguruar një rezultat pozitiv.

Takimi ndaj Shelbourne shihet si një provë karakteri dhe force për kuqezinjtë tetovarë, që synojnë të konfirmojnë ambiciet e tyre në arenën evropiane dhe të mbajnë gjallë shpresat për kualifikim.