VIDEO/ Gol historik nga Lennart Karl: më i riu që shënon në Champions me bavarezët
Debutim ëndrrash për Lennart Karl! Talenti 17-vjeçar i Bayernit, në ndeshjen e tij të parë si titullar në Ligën e Kampionëve, la menjëherë gjurmë duke shënuar një gol që do ta kujtojë gjatë.
Përballë Club Brugge, mbrojtja belge i la hapësirë të madhe, dhe Karl, me qetësi e siguri, avancoi deri në kufijtë e zonës për ta dërguar topin me saktësi në trekëndësh, duke zhbllokuar rezultatin në 1-0 për Bayernin, që pak më pas dyfishoi me Harry Kane.
Ky gol konfirmon fjalët e trajnerit Vincent Kompany, i cili në prag të ndeshjes kishte theksuar “instinktin e lindur për gol” të të riut gjerman. Aksioni i Karl-it tregoi jo vetëm talentin e tij individual, por edhe pjekurinë për të përballuar presionin e një gare madhore si Champions League.
Me këtë realizim, Karl (2008) bëhet shënuesi më i ri në historinë e Bayernit në Ligën e Kampionëve, duke nisur karrierën e tij europiane me një moment që tashmë ka hyrë në histori.
